Nesër duhet të bëhet e qartë nëse do të ketë zgjedhje të reja në tre komuna
Nga e hëna do të bëhet e qartë nëse do të mbahen zgjedhje të reja lokale në tre komuna të vendit. Koordinatorët e grupeve parlamentare në Kuvend tashmë kanë propozuar ndryshime në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, bënë të ditur për TV21 nga koalicioni “VLEN”.
Sipas informacioneve të pakonfirmuara, të hënën do të mbahet një koordinim, në të cilin pritet që përfaqësuesit e palëve të shprehin qëndrimet dhe vërejtjet e mundshme rreth tekstit. Burime nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, thonë se nëse sigurohet shumica e nevojshme prej dy të tretave për ndryshimet ligjore, debati do të fillojë të martën, kur është caktuar seanca plenare në Kuvend. Për këtë ligj, përveç 80 votave “pro”, nevojitet edhe shumica e Badenterit dhe tani për tani ndryshimet kanë mbështetjen e sigurt të 78 deputetëve.
Koalicioni “VLEN” njoftoi ndryshimet ligjore në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale që të mos ketë zgjedhje të parakohshme në komunat, kryetarët e të cilave do të kalojnë në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ. Fjala është për Gostivarin, kryetar i të cilit Arben Taravari do të jetë ministër i ri i Shëndetësisë, pastaj për Aerodromin, sepse pritet që në karrige ministrore të ulet Timço Mucunski, e po ashtu edhe Sarajin, sepse kryetari Blerim Bexheti nga BDI do ta vazhdojë karrierën e tij politike si deputet.
Propozimi parashikon funksionin e “ushtrimit të detyrës kryetar komune”, i cili do ta menaxhonte komunën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale. Zbatuesi do të zgjidhej në këshillin komunal. Sipas zgjidhjes aktuale ligjore, nëse mbeten më shumë se gjashtë muaj deri në zgjedhjet e rregullta lokale, atëherë shpallen zgjedhje të reja për kryetar komune. Kështu do të ishte nëse nuk kalojnë ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, sepse zgjedhjet e ardhshme lokale janë vitin e ardhshëm në vjeshtë. Koalicioni “VLEN”, i cili do të ishte propozues i ligjit, shpreson që ndryshimet të miratohen para votimit për Qeverinë e ardhshme, që pritet të jetë fundjavën e ardhshme.
Lajme Më të fundit Vendi