Mile Janakieski lirohet sot nga burgu
Pas gjashtë vitesh në burg, sot lirohet ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski.
Nga nëntori i vitit 2018 e deri më sot, Janakieski ka qenë në arrest shtëpiak dhe burg efektiv. Fillimisht është dërguar në burgun “Idrizovë”, ku ka vuajtur dënimin për rastin “Titanik” të PSP-së dhe më pas është transferuar në burgun “Shkupi”, ku ka qenë deri më sot.
Që nga formimi i PSP-së, Janakieski është ndjekur penalisht në disa lëndë gjyqësore. Pas arratisjes së liderit të VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, ai përfundoi në paraburgim.
Në nëntor të vitit të kaluar, Mile Janakieski e ka mposhtur shtetin para gjykatës në Strasburg dhe do të marrë dëmshpërblim sepse është konstatuar se i është shkelur e drejta për liri nga neni 5 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ish-ministri i akuzuar në lëndët “Shkallët spanjolle” dhe “Organizimi i 27 prillit” ndodhej në paraburgim, ndonëse sipas gjykatës nuk kishte arsye për privimin e tij nga liria.
Shkelja e dytë është në pjesën e shpejtësisë së vendimmarrjes për ankesat e tij para këshillit penal në Gjykatën penale të Shkupit, e cila ligjërisht është dashur të zgjasë maksimumi 48 orë.
Lajme Më të fundit Vendi