Në pranim-dorëzimin e funksionit të kryeministrit në Qeveri, Mickoski dhe Xhaferi patën një takim të shkurtër, pa asnjë deklaratë për media. Mickoski është kryeministri i 13-të, i cili do të udhëheqë qeverinë e 20-të që nga pavarësia e vendit, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë pranim dorëzimit zyrtar të funksionit kryeministror, Kryeministrit të sapo zgjedhur Hristijan Mickoski i urova punë të suksesshme dhe efikase në interes të të gjithë qytetarëve. I theksuam zgjedhjet e lira, korrekte dhe demokratike si vlerë e shtuar e euro integrimeve. Shpreha shpresë se subjektet politike do të tregojnë nivel të lartë të vetëdijes politike dhe do të jenë të hapur për bashkëpunim për prioritetet strategjike të shtetit”, shkroi Xhaferi në Facebook.
U konstatua se Qeveria kalimtare dhe institucionet shtetërore u përgjigjën me sukses detyrës për organizimin e proceseve zgjedhore të lira, korrekte dhe demokratike dhe mundësuan pranim dorëzim të qetë dhe demokratik të pushtetit. Kjo u vlerësua si kontribut në sjelljen evropiane të shtetit, i cili synon anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.
“Kryeministri i deritanishëm Xhaferi, sugjeroi se shtetit, si edhe deri tani, edhe më tej i nevojiten reforma cilësore, me qëllim të avancimit të cilësisë së jetës së qytetarëve sipas standardeve dhe vlerave evropiane dhe demokratike. U shpreh edhe shpresë për nivel të lartë të ndërgjegjes politike dhe bashkëpunim rreth prioriteteve strategjike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Përveç kryeministrit, ceremonitë e dorëzimit në ministri do të ketë edhe mes ministrave aktualë në Qeverinë teknike dhe ministrave të sapozgjedhur.
Në ndërkohë postin e ministrit të Drejtësisë e mori Igor Filkov. Ai bëri të ditur se gjatë mandatit të tij do të ndërmarrë reforma në sferën e drejtësisë dhe forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, depolitizimin e gjyqësorit dhe prokurorisë, rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit.
“Në periudhën në vijim vëmendje më e madhe do t’i kushtohet ndryshimeve në Ligjet për Këshillin Gjyqësor, për Prokurorinë Publike, për Këshillin e Prokurorëve Publikë, zbatimi i agjendës së reformës në kuadër të procesit të zbatimit të Planit të Rritjes së Ballkanit, Udhërrëfyesi për qeverisjen e së drejtës që do të përshkruajë drejtimet e reformave dhe masave deri në qëllimin përfundimtar – përfundimin e negociatave, si dhe përfshirjen e vendeve kandidate në Raportin e Sundimit të Ligjit si instrument. për zbulimin e hershëm apo parandalimin e sfidave me sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për drejtësinë.
Ish-ministri i brendshëm Nazim Bushi gjithashtu ia dorëzoi detyrën e ministrit të sapoemëruar Pançe Toshkovski, i cili ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë teknike. Në ceremoninë e dorëzimit, ministri Toshkovski falënderoi Bushin për angazhimin e deritanishëm në këtë ministri.
Vllado Misajllovski nga ana tjetër mori postin e ministrit të Mbrojtjes nga Tiron Jajaga. Misajllovski në fjalimin e parë para punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë theksoi se merr përsipër të punojë në forcimin e reputacionit dhe pozitës ndërkombëtare të shtetit dhe prioritet kryesor do të jetë aktivizimi i plotë i të gjitha resurseve në dispozicion në mënyrë që për të mbrojtur interesat kombëtare.
“Proceset e reformës do të jenë në krye të agjendës, sipas objektivave të aftësisë së NATO-s, ne do të përditësojmë në përputhje me rrethanat kuadrin strategjik që është baza për zbatimin e proceseve reformuese në fushat kyçe të mbrojtjes. Me këto reforma do të përforcohen proceset e modernizimit të Armatës, bashkëpunimi ndërkombëtar, sistemi i burimeve njerëzore, edukimi dhe trajnimi i personelit, mbështetja logjistike, infrastruktura ushtarake, sistemi i komunikimit dhe mbrojtja kibernetike”, theksoi ministri Misajllovski.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në ditën e parë të mandatit do të udhëtojë në Luksemburg, ku do të marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ngjarja mbahet në kuadër të Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së dhe organizohet nga nënkryetari i Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Në takim do të diskutohet për proceset integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe modalitetet për forcimin e bashkëpunimit dhe prezencën e BE-së në rajonin tonë.
Në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë , edhe ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari, mori postin nga paraardhësi i tij.
Me 77 vota “për” dhe 22 vota “kundër”, Kuvendi zgjodhi mbrëmë Qeverinë e re, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski. Koalicioni qeveritar përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni “VLEN” dhe ZNAM.
Në votimin e mbrëmshëm “kundër” Qeverisë së re u deklaruan deputetët e LSDM-së dhe të Majtës, ndërsa deputetët e koalicionit “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja e lanë seancën para përfundimit të saj.
Hristijan Mickoski e mori mandatin për të formuar qeverinë e re pasi partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti dhe fitoi 58 ulëse në Kuvend.