Ish-kryeministri Sali Berisha mbajti këtë të martë një konferencë me gazetarët, ku u ndal dhe te vendimi i Këshillit të Mandateve, i cili votoi pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK për heqjen e imunitetit.
Berisha në fjalën e tij tha se vendimi i parlamentit ishte i paligjshëm pasi në këshill nuk u paraqit asnjë provë ndaj tij.
Ai vijoi të insistonte se vendimi i parlamentit për shtrëngimin e masës së sigurisë, po merret mbi vendim anti-kushtuetues.
“Vendimi është i paligjshëm.
Ju i patë punimet e komisionit, në komision nuk paraqitën asnjë provë, asnjë fakt.
Lexoni pak se çfarë thotë rregullorja e parlamentit për shqyrtimin e kërkesave të prokurorisë.
Nuk plotësohej asnjë kusht.
Kishin vetëm një kërkesë, meqenëse nuk kam zbatuar vendimet antikushtetuese të tyre, të rëndohet ndëshkimi.
Dhe natyrisht në një vend ku parlamenti, prokuroria dhe çdo gjë është në duart e një njeriu, ndodh. Nuk kisha dyshim.
Ndodhi që ata zbatuan një urdhër të atyre që u kanë marrë pushtetin. Nuk ka gjë më të rrezikshme. Kjo vetëm në diktaturë mund të ndodhë.
Kështu që nuk ka asnjë legjitimitet ky vendim i komisionit Balla-Brava.
Por vendimi i parlamentit për mua është abrogimi që i bëjnë ata nenit 73, pika 2. Është problemi i tyre pastaj kjo. Është edhe në Gjykatë Kushtetuese kjo, por nuk pres ndonjë gjë të madhe se vetëkuptohet se çfarë kontrolli ka mbi të.