Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu njoftoi sot se Maqedonia e Veriut për dy deri në tre vjet mund të ketë satelitin e saj në hapësirë.
“Do të thotë shumë për shtetin, por edhe për dixhitalizimin e shoqërisë. Të kesh një pozicion orbital në hapësirë është një faktor i rëndësishëm, duhet të mendojmë për satelitin tonë. Do të ofrojë të dhëna më të besueshme për qytetarët, transformim më të lirë të dixhitalizimit në shoqëri dhe prestigj. Për momentin kemi rënë dakord për koordinatat për vendin tonë dhe ato janë të fiksuara dhe tashmë të disponueshme për ne”, tha sot Aliu.
Sipas ministrit, faza e dytë është analiza dhe zgjat 2-3 vjet.
“Se cfarë lloj sateliti, a do të shkojmë me lëshimin e satelitit apo do të huazohet ajo hapësirë për një periudhë të caktuar, ky duhet të jetë një vendim i shtetit bashkë me ITU-në. E dini që ITU është institucioni më i vjetër në botë që përcakton frekuenca për komunikim. Në orbitë janë tre nivele, jemi në nivelin e tretë në 16.6, do të thotë pozicionin e saktë që kanë në orbitë”, shtoi Aliu.
Më 16 dhjetor, Aliu në Dubai nënshkroi Aktin Final për lëshimin e satelitit me të cilin edhe Maqedonia e Veriut do të marrë pozicionin e saj në orbitë.