Nga BDI, dega Tetovë, përmes një komunikate dërguar për mediat kanë akuzuar Lëvizjen Besa se përmes pazareve politike po shet interesat kombëtare.
“Tashmë është e qartë se Lëvizja Besa ka agjendë të dyshimtë të veprimit politik dhe të gjitha veprimet e saj i koordinon me struktura politike dhe parapolitike me qëllimin e vetëm për të ngritur artificialisht tensione në mes qytetarëve, me mendimin që kështu do t’u hedhin hi syve tetovarëve pas dështimeve të rënda dhe skandaleve që kanë në menaxhimin e komunës. Në mungesë të ideve dhe projekteve për të mirën e qytetarëve, kjo strukturë ka zgjedhur propagandën e ulët përçarëse, gjithmonë në koordinim me partnerin e tyre – VMRO-DPMNE. Rikujtojmë qytetarët që vendosja e kryqit në Kodrën e Diellit është bërë me dijeni të plotë të zyrtarëve komunal, ku edhe vetë e kanë pranuar në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit komunal. Lëvizja Besa nuk mbron interesat e shqiptarëve por përmes pazareve të dyshimta po shet interesat kombëtare”, thuhet në komunikatën e dërguar nga BDI-dega Tetovë.