Gjatë këtij viti që po përfundon deri në nëntor, në rrugët e Maqedonisë kanë ndodhur gjithsej 106 aksidente trafiku me pasoja fatale, në të cilat kanë humbur jetën 114 persona, njoftoi kryetarja e Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor (KRSKRr), Gordana Kozhuvarovska, në një konferencë për media.
Ajo ka theksuar se ka një rënie të numrit të aksidenteve në komunikacion me fatalitet krahasuar me vitin paraprak 2022, në të cilin kanë ndodhur gjithsej 109 aksidente trafiku me 116 viktima.
“Siguria në komunikacion është e domosdoshme për të gjitha subjektet në fushën e komunikacionit, por është e rëndësishme edhe për çdo person sepse secili është pjesëmarrës në komunikacion në mënyrën e vet. Çdo ditë jemi dëshmitarë të një numri të madh aksidentesh në komunikacion që shpeshherë kanë pasoja të padëshiruara. Fatkeqësisht, ende nuk mund të themi se kultura e komunikacionit dhe etika në komunikacion janë në nivel të kënaqshëm”, tha Kozhuvarovska.
Në sferën e parandalimit, Kozhuvarovska thotë se është thelbësore të punohet në ngritjen e vetëdijes së të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, si dhe në ndërtimin e një sistemi të vlerave sociale në të cilin siguria dhe etika në komunikacion do të zënë vendin e duhur.