“Sinohydro” do të vazhdojë me ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër

“Sinohydro” do të vazhdojë me ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër

Deklaratat e nëntorit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski se ka mundësi të shkëputet kontrata me kompaninë kineze “Sinohydro” për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër nuk u realizuan. Në seancën e sotme qeveria vendosi të nënshkruajë një aneks të kontratës me kontraktorin për shtyrjen e afatit të punimeve të ndërtimit, por nuk do të ketë borxh të ri financiar për zgjatjen dhe njëkohësisht ndërtimi i autostradës do të vazhdojë të realizohet, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria autorizoi Kabinetin e Zëvendës kryeministrit të Qeverisë për çështjet ekonomike, Ministrinë e Transportit dhe Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore, që të fillojnë negociatat me kontraktorin, për të përfunduar një aneks të kontratës, për të zgjatur afatin e realizimit, duke shfrytëzuar mjetet financiare tashmë të siguruara për përfundimin e autostradës Kërçovë – Ohër. Njëkohësisht, performanca e seksionit do të vazhdojë të zbatohet në vazhdimësi”, thuhet në njoftimin e qeverisë pas seancës së sotme.

Afati për përfundimin e ndërtimit të autostradës Kërçovë-Ohër skadon më 31 dhjetor të këtij viti. Në nëntor, kryeministri deklaroi se është e palejueshme që deputetët në Kuvend të shqyrtojnë edhe një herë vazhdimin e afatit për performancë. Më pas ai paralajmëroi një rishikim të të gjithë projektit mbi bazën e të cilit do të merret vendimi.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar Informatat për Marrëveshjen për ndërtimin e autostradës A2, pjesa Kërçovë-Ohër, dhe ka konfirmuar se ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër është prioritet.

“Edhe Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, është e vendosur që të vazhdojë me përfundimin e tij, si pjesë e Korridorit Evropian 8”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ndërtimi i autostradës Kërçovë-Ohër ka filluar në fillim të vitit 2014, me dokumentacion projektues që është konstatuar se ka mangësi të shumta në projektim edhe gjatë ndërtimit. Afati fillestar për përfundimin e këtij seksioni të autostradës ishte viti 2018 dhe deri tani ka “ngrënë” 600 milionë euro investime.

Lajme Vendi