Dyshohet se spiunonin për Izraelin, Turqia arreston 33 persona

Dyshohet se spiunonin për Izraelin, Turqia arreston 33 persona

Autoritetet turke kanë ndaluar 33 persona që dyshohet se po spiunonin në emër të Izraelit, raportoi më 2 janar agjencia shtetërore e lajmeve turke. Autoritetet ende po kërkojnë edhe 13 persona të tjerë që besohet se kanë lidhje me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, raportoi agjencia Anadolu.

Të dyshuarit u arrestuan gjatë bastisjeve në Stamboll dhe në shtatë provinca të tjera. Ata dyshohet se po planifikonin të kryenin aktivitete, përfshirë edhe “vëzhgim” dhe “ndjekje, sulm dhe rrëmbim” të shtetasve të huaj që jetojnë në Turqi.

Anadolu nuk dha informacione për të dyshuarit apo për shtetasit e huaj, që supozohet se ishin shënjestruar. Ky njoftim vjen disa javë pasi kreu i agjencisë së sigurisë në Izrael, Shin Bet, tha përmes një audio-incizimi, se organizata e tij është e përgatitur që ta shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – “në çdo vend”, përfshirë në Liban, Turqi dhe Katar.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Izraelin për “pasoja serioze” nëse vazhdon me kërcënime që të sulmojë zyrtarët e Hamasit që gjenden në tokën turke.

Turqia dhe Izraeli kanë normalizuar raportet më 2022, duke riemëruar ambasadorë në shtetet përkatëse pas vitesh raporte të tensionuara. Por, këto raporte shpejt u përkeqësuan pas luftës Izrael-Hamas dhe Ankaraja është një prej kritikëve më të zëshme të veprimeve të ushtrisë së Izraelit në Rripin e Gazës.

 

Bota