Është shoqëruar në policinë e Durrësit, bashkëshorti i 41-vjeçares Bedrie Loka që helmoi veten me fostoksinë. Sipas mediave, bashkëshorti i të ndjerës, Xhemal Loka dyshohet se ka pasur një konflikt me këtë të fundit për shkak të profilit falso në rrjetin social Tik-tok.
45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten, me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e Lokës, i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.
Ky celular, bashkë me celularin e shtetases Bedrie Loka, janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese.
Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryhen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të Bedrie Lokës në rrjetin social “Tik Tok”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Sipas zërave, denigrimi i të ndjerës ka nisur në vitin 2022. Që në 2 dhjetor në rrjetin social Tik Tok është shpërndarë fotoja e gruas ku kishte dhe tekst denigrues. Bashkëshorti ka thënë se ka qenë kushërira e së ndjerës e cila ka shpërndarë foto të viktimës në rrjetin social Tik Tok. Pasi familjarët e kanë zbuluar kanë kontaktuar me kushërirën e cila më pas kishte kërkuar falje, por fotot nuk i ka hequr.