Rreth pesëdhjetë banorë nga fshatrat Banjicë e Poshtme dhe Banjicë e Epërme kanë bllokuar rrugën rajonale që kalon nëpër fshatrat e tyre dhe nuk kanë lejuar të kalojnë automjetet për tre orë në shenjë revolte ndaj mënyrës se si bëhet shpronësimi për nevojat e Korridorit të 8. Banorët thanë se nga java e ardhshme do të ndalojnë punët e kompanisë Bechtel dhe Enka.
Nasir Asipi, përfaqësues i protestuesve, tha se nuk kanë marrë përgjigje për kërkesat që i kanë dërguar autoriteteve dhe as nuk janë thirrur për bisedë.
“Ne nuk jemi kundër vendit ku kalon rruga, por nuk kemi asnjë pasqyrë të planeve të tyre. Siç e kuptuam, kampe dhe logjistikë do të bëhen në fushat tona këto ditë. Ajo tokë do të mbetet në Republikën e Maqedonisë dhe nuk do të kthehet tek ne. Mbështetje marrim edhe nga fqinjët tanë nga fshati Zdunje dhe Debresh të cilët gjithashtu nuk janë të kënaqur me shpronësimin”, tha Asipi.
Deri më tani rreth gjysma e pronarëve të tokës bujqësore që do të konfiskohet për ndërtimin e Korridorit të 8 kanë marrë vendime për konfiskim të përhershëm. Disa reaguan duke thënë se ishte caktuar një çmim minimal për ta.
“Nga java tjetër ne do të fillojmë mbjelljen dhe nuk do t’i lejojmë punëtorët nga Bechtel dhe Enka të afrohen. Nga e hëna, protestat do të rriten dhe ne do të bllokojmë punët e tyre në ndërtim”, thonë banorët.