Në seancën e Qeverisë, me propozim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, është miratuar fondi për grant për përgatitjen e një studimi teknik për integrimin e impianteve fotovoltaike lundruese në Rrjetin Kombëtar të Ujitjes.
Ky projekt mbështetet nga plani evropian për rimëkëmbje, transformim dhe qëndrueshmëri dhe financohet nga Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Turizmit të Spanjës, duke përfshirë një shumë prej 765,158,00 euro.
Implementimi i kësaj iniciative është i ndarë në disa faza. Faza e parë do të fokusohet në identifikimin e lokacioneve për instalimin e impianteve fotovoltaike lundruese. Faza e dytë do të përfshijë zhvillimin e një koncepti dhe një studimi fizibiliteti, ndërsa faza e tretë do të përfshijë përgatitjen e projekt propozimeve për instalimin e impianteve fotovoltaike lundruese.
Kjo teknologji e përparuar përdoret edhe në vende të tjera të Evropës, si Spanja dhe Belgjika, ku impiantet diellore lundruese përdoren përfshirë sektorin e ujitjes. Kjo ndihmon në pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e sektorit të bujqësisë.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave u shpreh se ky projekt do të investojë në zhvillimin dhe modernizimin e sistemit të ujitjes së tokës bujqësore, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit të çdo fermeri në vend.