RMV: Mungojnë punëtorë në fushën e turizmit, sivjet pritet të përkeqësohet gjendja

RMV: Mungojnë punëtorë në fushën e turizmit, sivjet pritet të përkeqësohet gjendja

Mungesa e fuqisë punëtore dhe mënyra e sigurimit të kuadrit adekuat do të jetë sfida më e madhe me të cilën do të përballen gastronomët nga Ohri dhe Struga edhe këtë vit. Më shumë se 10,000 punëtorë kanë shkuar për të punuar në bregdetin kroat verën e kaluar, duke lënë kapacitetet tona turistike të punojnë me nxënës të shkollave të mesme dhe pensionistë.

“Paralajmërimet janë se problemi do të thellohet. Shpresoj se mund të gjejmë mënyrë për të mbajtur disa nga njerëzit që planifikojnë të largohen nga këtu me paga më të larta dhe përfitime më të mira, sepse paralajmërimet për sezonin e ardhshëm janë shumë më të mëdha se sa kanë qenë deri më tani”, tha Ana Jançeva – menaxhere hoteli.

“Në Ohër kemi më shumë se 1000 kuzhinierë të papunë në Entin e punësimit dhe për shkak të tyre është shumë e vështirë të sjellim punëtorë të huaj për të zgjedhur profilin e tyre. Problemi i dytë – duhet ta gjesh personin adekuat…”, tha Igor Celeski, menaxher restoranti.

Zgjidhja e vetme ndoshta do të duhet të kërkohet në importimin e fuqisë punëtore nga vendet e tjera. Tashmë ka agjenci që ofrojnë punëtorë nga jashtë. Pritet të mbërrijnë kuadro nga India.

“A do ta jep kjo efektin e dëshiruar, mbetet për t’u parë, por ia vlen të provohet. Një punëtor nga jashtë do të na kushtojë rreth 1000 euro. Këto mjete mund t’ua japim punëtorëve këtu te ne dhe ndoshta në këtë mënyrë do t’i frymëzojmë që të qëndrojnë dhe të punojnë këtu”, u shpreh Erhan Papraniku – hotelier nga Struga.

Nëse problemi nuk zgjidhet, atëherë do të duhet të pasojnë masa jopopullore, pra mbyllja dhe zvogëlimi i një pjese të kapaciteteve.

“Do të duhet ta vendosim veten në situatë siç funksionon tashmë Evropa, duke reduktuar punët operative për shkak të mungesës së kuadrove”, deklaroi Ana Jançeva – menaxhere hoteli.

Disa nga objektet gastronomike tashmë kanë filluar të sjellin fuqi punëtore nga jashtë, konkretisht nga Filipinet, por ankohen se procedurat janë të gjata dhe të komplikuara. /Alsat.mk

Vendi