Maqedoni, telashet me deklarimin e etnisë në konkurset për punë

Maqedoni, telashet me deklarimin e etnisë në konkurset për punë

Kriter kryesor për t’u punësuar në ndërmarrjet dhe organet e administratës shtetërore, qoftë në nivelin qendror apo lokal, duhet të jetë profesionalizmi, e jo përkatësia etnike, ka deklaruar të mërkurën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Duke komentuar dukurinë e deklarimit të rremë për përkatësinë etnike për të zënë një vend pune, Kovaçevski theksoi nevojën e ndryshimit të kritereve për punësim, në veçanti të atij që njihet si “balancues” – një mekanizëm që aplikohet gjatë konkurseve bazuar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit të vitit 2001, për përfaqësimin të drejtë të bashkësive etnike në institucionet shtetërore.

Por, ky mekanizëm në vazhdimësi është keqpërdorur në konkurset e publikuara nga agjenci të ndryshme shtetërore, ndërmarrje publike e institucione të tjera.

“Vlerësoj se përkatësia etnike nuk mund të jetë profesion pasi profesioni është i definuar krejtësisht ndryshe. Pra, ka të bëjë me arsimimin, aftësinë, përvojën, sjelljen e kështu me radhë. Mendoj se ka ardhur momenti kur duhet të flasim për kritere të tjera për avancimin e shoqërisë tonë. Gjatë 23 vjetëve të fundit ne kemi arritur të ndërtojmë një shoqëri shumetnike, ku secili të mund ta shohë veten si pjesë e kësaj shoqërie. Tani besoj se është momenti që të fokusohemi në aftësitë profesionale të secilit që synon të jetë pjesë e institucioneve”, deklaroi kryeministri Kovaçevski.

Reagimi i kreut të Qeverisë maqedonase u bë pasi në shumë raste në zonat e banuara me popullsi të përzier etnike, gjatë konkurseve të shpallura janë kërkuar kuadro me përkatësi etnike shqiptare, por në vend të tyre në punë janë pranuar maqedonas, të cilët gjatë aplikimit janë deklaruar si shqiptarë.

Kjo ka ndodhur edhe në një konkurs të transmetuesit publik shtetëror ku është kërkuar punësimi i një personi shqiptar në vendin e punës si zjarrfikës në repartin e mbrojtjes kundër zjarreve, por në punë është pranuar një person me përkatësi etnike maqedonase.

“Nuk besoj se mund të gjeni një qytetar në shtetet evropiane, i cili ndryshon nacionalitetin brenda ditës vetëm që të bëhet pjesë e ndonjë institucioni. Besoj se është nënçmim edhe për institucionin, edhe për këta qytetarë, të cilët e bëjnë këtë veprim. Kjo flet shumë për formën dhe profesionalizmin, moralin dhe etikën që kanë këta qytetarë”, kishte deklaruar më herët ministri i Shoqërisë Informative, Azir Aliu, duke komentuar dukurinë e deklarimit të rremë të përkatësisë etnike.

Nga kjo ministri, e cila ka futur në përdorim mekanizimin e balancuesit, thonë se nuk kanë të drejtë ligjore që t’ia ndalojnë dikujt se si deklarohet për sa i përket përkatësisë etnike.

Aktualisht, nuk ka ndonjë propozim për zgjidhjen e problemit, edhe pse nga kjo ministri theksojnë nevojën e gjetjes së një mekanizmi për parandalimin e keqpërdorimeve.

Por, problemi është ndërlikuar edhe në komunat e banuara me popullatë maqedonase ku, sipas mekanizmit të balancuesit, në një konkurs të Ndërmarrjes së Pyjeve duhet të punësohen kryesisht shqiptarë, edhe pse në ato komuna nuk jeton popullsia shqiptare.

Sipas regjistrimit të vitit 2021, Berova është një komunë me 10.890 banorë, prej të cilëve 9.925 janë maqedonas etnikë dhe vetëm një shqiptar. Mirëpo, në konkursin e fundit për punësim kërkohen 22 punëtorë të pyjeve, nga të cilët një maqedonas, një turk dhe 20 të tjerët shqiptarë.

Kjo ka nxitur reagime të shumta në opinion pasi punësimet që janë nevojë për funksionimin e ndërmarrjes nuk mund të realizohen meqë në konkurs të gjithë kandidatët kanë deklaruar përkatësi etnike që cilës i përkasin.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, të gjitha konkurset që shpallen me apostrofimin e përkatësisë etnike janë “të paligjshme dhe jo kushtetuese”, pasi sipas saj, kriteri i profesionalizmit duhet të jetë bazë për punësimet pasi në të kundërtën qytetarët do të vihen në “pozita të pabarabarta”.

Në fund të gushtit të kaluar 2023, një hulumtim i organizatës joqeveritare “Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve” doli me të dhënat se aplikimi i mekanizmit të balancuesit gjatë punësimeve ka qenë “kundërproduktiv”.

Mbi 76 për qind e të anketuarve e kanë vlerësuar “të keqe” praktikën e punësimit sipas parimit të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në administratën publike.

Për të shmangur keqpërdorimet, respektivisht deklarimin rrejshëm të përkatësisë etnike për një vend pune, Ministria e Drejtësisë kishte bërë ndryshime në Udhëzimin për nxjerrjen e certifikatave të lindjes ku vendosi kolonën e përkatësisë etnike.

Por, edhe ky vendim u pezullua nga Gjykata Kushtetuese pas një parashtrese nga një subjekt politik me vlerësimin se “përkatësia kombëtare është ndjenjë personale e qytetarit dhe nuk mund të vërtetohet me dokument publik”./REL/

Vendi