Tërmetet që viteve të fundit ndodhën në rajon, por edhe në vendin tonë, ngrenë alarmin në komunën e Tetovës, ku për herë të parë, është marrë vendim për formimin e një komisioni, i cili do të bëj inspektime të objekteve shoqërore, kolektive, dhe objekteve me karakter kulturor historik, për të verifikuar qëndrueshmërinë e tyre në aspektin sizmik.
“Nëse haset që ka dëmtim të strukturës dhe vlerësohet se nuk ka qëndrueshmëri të mirë sizmike, atëherë do të bëjmë ekzaminimin përmes laboratorëve që do bëjnë ekzaminimime dhe do dalin me propozim që investitori ta kryej në të ardhmen. Në gjashtë mujorin e dytë do shohim rrjedhën e procedurës dhe do merremi edhe me objektet individuale”, tha Rilind Selmani, Shef i sektorit të urbanizmit komuna e Tetovës.
Profesori Enis Jakupi thotë se kjo është më se e nevojshme që të bëhet madje jo vetëm në Tetovë, por në gjithë territorin e shtetit. Ndërsa kërkon që rëndësi e posaçme, të iu kushtohet objekteve individuale të ndërtuara pa leje deri në vitin 2011.
“RMV bën pjesë në një territor me intensitet të lartë sizmik, andaj në këtë territor priten tërmete në çdo pjesë dite apo sekonde, andaj për të rritur nivelin e sigurisë është e domosdoshme, jo vetëm kjo për edhe ekspertiza të tjera…. Kjo sidomos duhet të bëhet tek objektet që u legalizuan me Ligjin e ndërtimit të objekteve pa leje, andaj jo që është e domosdoshme, por është obligative shkaku se ato objekte u legalizuan vetëm me një elaborat gjeodezik. Dhe jo vetëm te këto objekte por të hetohen edhe objektet kolektive por që kanë mbindërtim”, theksoi Enis Jakupi, Doktor i shkencave teknike – inxhinieri sizmike.
Me formimin e komisionit për hetim të sizmikës në objekte, pritet që të vijojë një procedurë 12 mujore e kontrollit fillimisht gjashtë mujorin e parë do të kontrollohen objektet kolektive dhe ato kulturore historike dhe në gjashtë mujorin e dytë do të kontrollohen mbi 5000 objekte individuale që janë legalizuar me Ligjin për legalizim./Alsat.mk