Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot është për vizitë pune në Vjenë të Austrisë. Në suaza të vizitës, siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, kryeministri Kovaçevski do të mbajë takim pune me sekretaren e përgjithshme të OSBE-së, Helga Shmid, ku do të bisedohet për kryesimin e përfunduar me sukses të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, si dhe për kontributin e vendit tonë për sigurinë dhe stabilitetin e përgjithshëm evropian.
Ndërkaq, nga Presidenca njoftuan se presidenti Stevo Pendarovski nesër dhe pasnesër do të marrë pjesë në Takimin e 54-të vjetor ekonomik botëror të quajtur “Ripërtëritja e besimit” që po mbahet në Davos.
Siç informon Kabineti i presidentit Pendarovski, shefi i shtetit është paraparë të marrë pjesë në sesionin “Dialogu diplomatik për Ballkanin Perëndimor” në tubimin joformal të liderëve ekonomik botërorë “Kthimi i besimit në sistemin global” dhe në darkën zyrtare “Ndërtimi i Evropës të së nesërmes”.
Në takimin vjetor të Forumit ekonomik botërore në Davos është paraparë pjesëmarrja e mbi 100 shefave të shteteve dhe qeverive, përfaqësues të organizatave kryesore ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë, përfaqësues të rinj, sipërmarrës social dhe agjenci të lajmeve.