Një 35-vjeçar ra në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet se dhunonte e mbante të mbyllur familjen e tij. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se autoritetet ndërhynë pas informacioneve se 35-vjeçari Jetnor Zhaboli dhunonte në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij dhe sa herë që largohej nga shtëpia e mbyllte atë brenda së bashku me nënën dhe vajzën e tij të vogël.
Gjatë kohës që nuk ndodhej në shtëpi, ai i monitoronte me kamera dhe u bllokonte valët e telefonit, në mënyrë që të mos kishin mundësi të komunikonin me njeri.
Mediet raportojnë se çifti ishte i martuar prej 10 vitesh dhe se Zhaboli ishte tejet xheloz për bashkëshorten, duke i ndaluar asaj çdo lëvizje. Mësohet se xhelozia dhe sjelljet agresive të 35-vjeçarit ishin shtuar gjatë viteve të fundit. Në polici nuk ka pasur një denoncim nga gruaja dhe nëna e tij, por policia është mësuar me rastin pas informacioneve në rrugë operative dhe ka ndërhyrë.
Kamerat në banesë i janë gjetur në çdo hapësirë, përfshirë edhe tualetin, të cilat i monitoronte gjithë kohës. Bashkëshortja e tij, për shkak të situatës shumë të rënduar të dhunës, disa herë më herët ka tentuar të kryejë vetëvrasje. Në banesë janë gjetur dhe letra lamtumire që gruaja kishte shkruar.
Burime bëjnë me dije se ka dyshime që Zhaboli të ketë probleme të shëndetit mendor, por do të jetë ekspertiza që do të bëhet në vijim për të përcaktuar situatën e tij mendore. Mediet shkruajnë po ashtu se, edhe pse nuk kishte asnjë denoncim, efektivët e Komisariatit nr. 1 trokitën në derën e Zhabolit, por dera ishte e kyçur. Më pas kanë gjetur 35-vjeçarin, i cili i futi brenda në banesë.
Bashkëshortja e tij nuk ka thënë asnjë fjalë para hetusve. Ka qenë e ëma, H.Zhaboli, e cila ka treguar se i mbante të kyçur dhe ushtronte dhunë mbi të tre. Bashkëshotja e Zhabolit për shkak të situatës nuk është në gjendje të mirë psikologjike.