Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut e quajti “ditë të madhe historike” këtë të diel, duke e uruar Talat Xhaferin që u bë kryeministri i parë shqiptar në Shkup.
Ahmeti shkroi se shqiptarët bënë “rrugëtim të gjatë e të mundimshëm për ta fituar atë që na takon ndër shekuj”.
“Të dashur qytetarë, vëllezër e motra, Dita e madhe historike për të cilën punuam të gjithë bashkë, ERDHI! Nga sot vendi ynë ka Talat Xhaferin, si Kryeministër të parë shqiptar! Rrugëtim të gjatë e të mundimshëm kemi bërë si popull për ta fituar atë që na takon ndër shekuj, pa pretenduar asnjëherë për të huajën, andaj është plotësisht legjitim gëzimi ynë i sotëm për këtë të arritur të madhe që dikur as nuk mund të imagjinohej. Dikur në shtëpinë tonë na mohohej gjuha, arsimimi, punësimi nëpër institucione, na torturonte e shtypte pandalë sistemi i atëhershëm shtetëror, ndërsa sot po jetojmë barazinë si vlerë demokratike që e bënë këtë vend më të mirë dhe në prag të dyerve të Europës”, shkroi ai.
Ahmeti përsëriti edhe në Facebook atë që e tha në Kuvendin maqedonas: “Marrëveshja e Ohrit ju dha tapinë shqiptarëve që të jenë dalzotës në shtëpinë e tyre”.
“Nga viti 2001 e këndej kemi thyer një nga një të gjitha tabutë ideologjike, dëshmuam potencialin tonë si popull në drejtimin e shtetit tonë në çdo pozitë institucionale dhe u treguam vendimtarë në ruajtjen e orientimit euro-atlantik të vendit”, shkroi Ahmeti.
“Jam i bindur se Talat Xhaferi dhe kabineti i tij qeveritar do të jenë vazhdimësi e punës progresive që kemi bërë deri më tani, gjithmonë në shërbim efikas të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe të përkushtuar për reformimin e tij në frymën europiane”, shtoi ai.
Ahmeti e uroi Xhaferin dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar me një mesazh të qartë në fund: “Bashkë le të prijmë proceset jetike për të ardhmen tonë progresive, t’i themi JO Rusisë, PO Europës!”.