Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha se 27 anëtarët e bllokut ranë dakord me paketën e re të ndihmës për Ukrainën në vlerë 50 miliardë euro. Akordi u arrit gjatë një samiti të udhëheqësve të Bashkimit Europian të mbajtur sot në Bruksel. Miratimi i paketës së ndihmës u vu në pikëpyetje për shkak të kundërshtimeve paraprake të Hungarisë.
Kemi marrëveshje… Kjo zhbllokon fiinancimin e qëndrueshëm, afatgjatë dhe të parashikueshëm për Ukrainën. BE-ja po merr udhëheqjen dhe përgjegjësinë në mbështetje të Ukrainës. Ne e dimë se çfarë është në rrezik.
Një paketë e tillë e ndihmës ishte bllokuar dhjetorin e kaluar nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. Ukraina ka nevojë urgjente për ndihmë financiare dhe ushtarake, në mes të sinjaleve për një lodhje politike të Perëndimit teksa po mbushen rreth dy vjet nga pushtimi rus.
Duke adresuar shqetësimet e Kievit, një projektligj shtesë për shqetësimet e që përfshin 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën është bllokuar nga Kongresi Amerikan, mes kundërshtimeve të ligjvënësve republikanë.
Orban, i vetmi lider i BE-së që ende ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, vazhdimisht ka pasur mosmarrëveshje me udhëheqësit e tjerë të Bllokut lidhur me masat për të ndihmuar Ukrainën që nga nisja e pushtimit rus, në shkurt të vitit 2022.
Ai ka shprehur kundërshtime kundrejt sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë e madje ka hedhur idenë e mbajtjes së bisedimeve të paqes mes Moskës dhe Kievit.
Në samitin e Brukselit, nga udhëheqësit e 27 shteteve anëtare të bllokut, kërkohej që të vendosnin në mënyrë unanime për paketën e ndihmës për Ukrainën, që do të financohet nga buxheti i përbashkët i BE-së.
Orban, populist i krahut të djathtë i cili është në pushtet që nga viti 2010, është përballur me kritika se kundërshtimi i tij për ndihmën e BE-së për Ukrainën përbën një shantazh të bllokut për miliarda euro fonde dhe që BE-ja ka ngrirë për Hungarinë. Kjo për shkak të shqetësimeve të Brukselit mbi nivelin e demokracisë e të sundimit të ligjit në Budapest.
Para samitit, dje ministrat e Mbrojtjes të bllokut u mblodhën në një takim informal në Bruksel për të diskutuar mbi nevojën e forcimit të industrisë së mbrojtjes së bllokut dhe për ndihmën ushtarake për Ukrainën.