Pas më tepër se gjysmë viti nga fillimi i punimeve për rikonstruimin e rrugës “Vëllezërit Milladinov” në Tetovë, autoritetet lokale dhe qendrore paralajmërojnë se këtë javë do të bëhet asfaltimi i rrugës, shkruan Portalb.mk.
Punimet në rrugën “Vëllezërit Milladinov” filluan në verën e vitit 2023 për të mos u përmbyllur deri më tani ende.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami para disa ditëve në një deklaratë për shtyp njoftoi se në këtë rrugë ka vonesa për shkak se realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit.
“Sigurisht në këto raste ka vonesa”, tha Kasami.
Megjithatë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Portalb.mk theksuan se nga ana e Ministrisë nuk ka ndërprerje të punimeve ndërtimore.
“Fillimi me punë në rrugën Vëllezërit Miladinov иshte planifikuar të fillojë në muajin gusht, por për shkak të vonesës së kontraktorit nga komuna për ndërtimin e kanalizimit atmosferik, fillimi është bërë më 24.10.2023, pas pranimit të raportit për pranim teknik të kanalizimit atmosferik nga ana e mbikëqyrjes më 13.10.2023. Pastaj, nga komuna u njoftuam se në të njëjtën kohë EVN do të punojë në një pjesë të trasesë me informacion se do t’i duhen 3 muaj për të kryer lidhjet. Kontraktori ynë Bauer BG punoi në pjesën tjetër të trasesë”, thanë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Kjo ministri paralajmëroi se këtë javë do të bëhet asfaltimi i një pjese të trasesë që është gati për asfaltim, ndërsa do të mbetet pjesa ku ka punuar EVN.
Edhe nga Komuna e Tetovës mbrëmë informuan se nga sot do të fillojë tamponizmi i kësaj rruge dhe më pas do pasojë asfaltimi.
“Komuna apelon tek qytetarët që të largojnë veturat e tyre të parkuara në këto anë, të shmangin qarkullimin me vetura deri në kryerjen e punimeve”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Pavarësisht se punimet në këtë rrugë për kanalizimin atmosferik ishin planifikuar deri në fund të shtatorit 2023 dhe më pas të vijohej me asfaltim, megjithatë pati ndryshime.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami në fund të nëntorit 2023 theksoi se banorët kanë kërkuar që të ndërrohet edhe rrjeti i ujësjellësit, që ngadalësoi punimet.
Sipas asaj që tha Kasami aso kohe, qytetarët do duhej të presin të paktën edhe katër muaj deri sa rruga të lëshohet në përdorim
Përndryshe, lëvizja në këtë rrugë është e vështirë pasi aty janë hapur punimet, me muaj të tërë qytetarët lëvizin në rrugën plot me gropa dhe baltë, ata disa here për Portalb.mk janë ankuar për këtë gjendje.