Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në rrjetin social
Instagram ka publikuar një dokument, pas çka shkruan që shumica e Akademisë së Aleancës për Shqiptarët mbështesin propozimin e tij, që ASH të shkojë në zgjedhje bashkë me opozitën shqiptare, përcjell TV21.
“19 anëtarë të përbërjes së fundit të Akademisë të Aleancës për Shqiptarët, organ strategjik-këshillëdhënës, përgjegjës për ndërtimin e politikave të partisë, kanë publikuar një deklaratë përkrahjeje për Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Dr. Arben Taravari, pas shpalosjes së opsionit opozitar nga ky i fundit në prag të zgjedhjeve parlamentare. Nënshkruesit thonë në letër: “Shprehim besimin e plotë dhe e përkrahim pa rezervë liderin e Aleancës për Shqiptarët, Dr Arben Taravarin, në rrugën që ai ka trasuar për sjelljen e ndryshimit të sigurt në kampin politik shqiptar.” Ata velerësojnë se vendi gjendet në një krizë të rëndë shoqërore, morale dhe ekonomike dhe se përgjegjësi kryesor dhe katalizatori i kësaj krize është Bashkimi Demokratik për Integrim, që ka udhëhequr thuajse pandërprerë mbi dy dekada me radhë. Ata thonë se kjo gjendje nuk duhet dhe nuk guxon të vazhdojë dhe se tani është një mundësi e papërsëritshme për një ndryshim të madh politik, një ndryshim të sigurt”, thuhet mes tjerash në mbishkrimin e Taravarit.