Sonte dhe të dielën, Sela dhe Taravari do të masin fuqitë në dy kongrese të ndara

Sonte dhe të dielën, Sela dhe Taravari do të masin fuqitë në dy kongrese të ndara

Pasi Ziadin Sela në Kuvendin e partisë, paralajmëroi se me 18 shkurt do të mbahet Kongresi, në të cilin siç tha pritet shkarkimi i Arben Taravarit nga pozita e kryetarit të ASh-së, Taravari nga ana tjetër ka paralajmëruar kongres për ditën e sotme, transmeton Portalb.mk.

“Në bazë të nenit 31, pika 1, të Statutit të Aleancës për Shqiptarët, Kryetari i Partisë, Dr. Arben Taravari, ka thirrur Kongres të jashtëzakonshëm ditën e nesërme, e premte, 16 shkurt 2024, ora 19:00, në Aleksandar Palace në Shkup.
Ndryshimi Ka Nis!”, thuhet në njoftimin e partisë.

Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët me në krye Ziadin Selën me 10 shkurt ngriti iniciativë për shkarkimin e kryetarit të ASh-së Arben Taravari. Me 18 shkurt është thirrur kongresi i jashtëzakonshëm i partisë, me të cilin do të marrë formë shkarkimi i kryetarit, tha Ziadin Sela, kryetar i Kuvendit Qendror të Aleancës.

“Pas një debati të gjatë dhe me votë nga ana e kuvendit nga prezenca prej 108 anëtareve të kuvendit, 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim u mor i iniciativa për shkarkimin e kryetarit të partisë. Natyrisht një vendim tjetër është për thirrjen e Kongresit të jashtëzakonshëm, i cili u thirr më datë 18 dhe duhet të marrë formë shkarkimi i kryetarit. Ndërsa për pikën tjetër, për atë se si do të shkojë në zgjedhje ASh-ja, ai që bën propozim është kryetari i partisë. Kjo pikë u vendos që nuk mund të diskutohet pasi u mor iniciativë për shkarkimin e kryetarit të partisë”, tha Sela.

LEXO: Sela: Ngritëm iniciativë për shkarkimin e Taravarit, vendimi do të merret me 18 shkurt (Video)
Ai tha se sa i përket garës në zgjedhje, ai tha se janë të mendimit që të shkojnë vetë.

Me 8 shkurt, nga ana tjetër u mbajt Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë nga lideri i partisë, Arben Taravari, i cili i ka dhënë mbështetje këtij të fundit për bashkëpunim parazgjedhor me opozitën shqiptare, në mënyrë që të angazhohet “për të çuar BDI-në në opozitë”.

Kujtojmë se Kuvendi mesnatën e 10 shkurtit, me 62 vota “për” dhe asnjë votë “kundër” i shkarkoi ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu. Në votim nuk morën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare.

Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi.

LEXO: RMV, u shkarkuan ministrat e Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike, Mexhiti dhe Aliu
Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodh pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare. Sela mbetet në Qeveri, ndërsa Taravari i është bashkuar Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

Lajme Vendi