Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) informoi se bursat për nxënës dhe studentë janë paguar për të gjithë shfrytëzuesit e rinj që kanë dorëzuar marrëveshjen për bursë brenda afatit të përcaktuar. Bëhet fjalë për 3300 nxënës dhe 3000 studentë, shfrytëzues të rinj të cilëve u janë paguar mjetet nga muaji shkurt 2024.
“Kandidatët e refuzuar për bursë do të kenë mundësinë e ankesës, pasi të marrin Aktvendimin në mënyrë elektronike, në të cilën është theksuar arsyeja e mospranimit të aplikimit. Dorëzimi elektronik i Aktvendimit bëhet përmes portalit https://e-uslugi.mon.gov.mk dhe dokumenti dorëzohet direkt në profilin e nxënësit, gjegjësisht studentit. Kjo është risi e prezantuar për herë të parë këtë vit”, theksojnë nga MASH.
Afatet për ankesa do të fillojnë nga momenti kur nxënësi/studenti merr Aktvendimin. Përgatitja dhe dërgimi i Aktvendimeve zhvillohet në faza, sipas grupeve të bursave dhe të gjithë aplikantët për bursa do të marrin Aktvendim.