Jo Rusisë, po Europës – Ahmeti e Taravari tregojnë kushtet për koalicionim pas zgjedhjeve

Jo Rusisë, po Europës – Ahmeti e Taravari tregojnë kushtet për koalicionim pas zgjedhjeve

Jo Rusisë, Po Europës. Me këtë slogan kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, dha të ashtuquajturin “lajmin e madh” duke prezantuar kandidatin e BDI-së për president, ministrin e jashtëm Bujar Osmanin. Përpos kësaj, Ahmeti njoftoi edhe në çfarë kushtesh do të pranonin koalicionim për qeverisje të ardhshme. Kërkesat kryesore të BDI-së janë ndryshimet kushtetuese duke përfshirë bullgarët dhe komunitetet tjera pakicë në Kushtetutë, si dhe zgjedhja e presidentit të bëhet në Kuvend e jo përmes zgjedhjeve.

“Prandaj dhe në këto zgjedhje kemi vendosur që të kërkojmë nga ju të qëndrojmë bashkë, të rreshtoheni me ne në kërkesën për ndryshimin e Kushtetutës dhe zgjedhjen e Presidentit dhe zv.Presidentit të shtetit në Kuvend, përfshirjen e komunitetit bullgar dhe të tjerëve në Kushtetutë, si dhe t’i themi jo Rusisë, e po Europës. Para jush, po bëj zotimin e njëmendtë, që ne nuk do të jemi pjesë e asnjë qeverie e cila nuk e ndryshon kushtetutën dhe do të dalim në opozitë për t’i luftuar dhe mposhtur këto kërcënime ekzistenciale për vendin tonë”, është shprehur Ahmeti.

Kushtet e njejta i ka edhe opozita shqiptare, koalicioni VLEN. Kandidati për president nga radhët e opozitës, Arben Taravari, përpos kërkesës që presidenti të zgjedhet me dy të tretat e votave në Kuvend, kusht tjetër është që në korniza të ndryshimeve kushtetuese, të hiqet edhe 20% si term zëvendësues për gjuhën shqipe.

“Patjetër që po, këto do të jenë kërkesat tona. Për ndryshimet kushtetuese të mos jetë vetëm futja e bullgarëve por tash të shfrytëzojmë rastin të hiqet edhe 20%, këtë e kemi thënë edhe më herët si parti. Por tash e propozojmë edhe përzgjedhjen e presidentit të bëhet në parlament, ngjashëm si në Kosovë e Shqipëri”, tha Taravari.

Për të dy palët, çështja më e rëndësishme është vazhdimi i rrugës europiane e vendit. Këto kërkesa vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, veçanërisht kur sipas anketave, te blloku maqedonas si favorit për të fituar zgjedhjet është opozitarja VMRO-DPMNE. Nga atje, së fundmi për TV21 thanë se qëndrimet e tyre nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të pranojnë ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar. Thanë se koalicion do të bënin me të gjithë ata që kanë për qëllim për ta bërë Maqedoninë shtet të dinjitetshëm dhe të qeverisin me nder.

Lajme Vendi