Skandali në Onkologji huton qytetarët  – S’ka detaje nga Prokuroria për hetimet

Skandali në Onkologji huton qytetarët – S’ka detaje nga Prokuroria për hetimet

Vijnë se s’kanë ku të shkojnë tjetër! Pacientët e sëmurë me kancer nga i gjithë vendi kurohen në Klinikën e Onkologjisë ngaqë qendrat rajonale janë jashtë funksionit. Pas skandalit në këtë Klinikë, qytetarët ndjehen të hutuar, shkruan Alsat.

Disa ankohen se nuk po marrin shërbimet e duhura mjekësore për pagesat që bëjnë në sigurimin shëndetësor publik ndërsa disa të tjerë thonë se po vërejnë ndryshimet në shërbime.

“Përderisa Prokuroria po vazhdon me mbledhjen e dëshmive për të ngritur një aktakuzë eventuale për të dyshuarit në rastin e Onkologjisë, pacientët janë me mendime të ndara. Disa thonë se e kanë humbur besimin në mjekët onkolog, tek të cilët janë të detyruar të kurohen në Klinikën e Onkologjisë ndërsa disa të tjerë thonë se janë në nivelin më të mirë të mundshëm pasi që ata të cilët kanë bërë keqpërdorime, nuk janë brenda kësaj klinike”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.

“Me shëndetësinë jemi zero, përgjithësisht në Maqedoni është katastrofë! Të shkruajnë shko atje, eja këtu pastaj më thanë hajde të enjten. Nuk e marrim shërbimin që paguajmë, më japin udhëzim të shkojmë atje, pastaj pres aty e më thonë se nuk je për këtu. 3 Muaj më ‘rrokullisin’ deri më sot!”, tha një qytetar.

“Ai që e meriton le të jep përgjegjësi, ai që ka vjedhur le ta kthej!”, u shpreh një qytetar tjetër.

“Shëndetësia e atëhershme me të tashmen kanë shumë dallim. Për shembull? Punoj në mënyrë ekipore, kurse tani nuk ka kurrfarë organizimi, sistemi shëndetësor tek ne pothuajse është rrënuar”, theksoi një qytetar.

“Momentalisht po! A më parë? Përpara nuk kemi dëgjuar! Për çfarë? Që kishte radhë të gjata për terapitë që kishte dhe nuk kishte, por momentalisht ka!”, u shpreh një qytetar.

“Në rregull është tani, nga ana jonë jemi të kënaqur!”, tha një qytetar.

“Unë jam pacient në Onkologji. Si ju shërbejnë? Absolutisht me profesionalizëm me ndershmëri dhe me besueshmëri”, u shpreh një qytetar tjetër.

Lidhur me skandalin në Onkologji, nga organi akuzës thonë se akoma janë në fazën hetimore dhe nuk japin informacione më të detajuara. Sipas autoriteteve të ndjekjes 5 personat dyshohet se kanë përfituar rreth 1,8 miliard denarë apo rreth 29,5 milion euro për këto vite që është hetuar rasti në Kliniken e Onkologjisë.

Kjo nënkupton se për 6 vite, dëmi ka arritur në vlerën e një buxheti vjetor të Onkologjisë vetëm për terapitë. Ata thonë se nga bashkëpunimi rajonal në para hetim, Prokuroria e Kosovës nuk ka gjetur asnjë dyshim që terapitë e vjedhura nga Klinika Onkologjisë të kenë përfunduar tek pacientët shtetas të Kosovës.

Në periudhën 2017-2022 dy drejtorët në bashkëpunim me doktorët kanë shkruar dy fish më shumë terapi të shtrenjta në emër të pacientëve me kancer. Tërheqja e pakontrolluar e ilaçeve jetike nga farmacia e klinikës ka krijuar një boshllëk financiar në Fondin Shëndetësor, por edhe shumë pacientë thuhet se kanë mbetur pa marrë terapitë përkatëse. Akoma nuk është vërtetuar ku janë shitur ato, por që në treg të zi kushto 4-5 mijë euro për një dozë mujore./ Alsat.mk

Lajme Vendi