BDI nuk heq dorë nga Ligji për Lojërat e Fatit, Ademi: Beteja do të zhvillohet deri në fund

BDI nuk heq dorë nga Ligji për Lojërat e Fatit, Ademi: Beteja do të zhvillohet deri në fund

Shumica nuk heq dorë nga Ligji për Lojërat e Fatit. Pavarësisht mosdekretimit nga presidenti Stevo Pendarovski, dhe kritikave të institucioneve evropiane se po keqpërdoret flamuri evropian në Kuvend, ky propozim do të paraqitet përsëri para ligjvënësve javën e ardhshme, në leximin e tretë. Deputeti i BDI-së Arbër Ademi, njoftoi se beteja do të zhvillohet deri në fund. Nëse këtë herë miratohet, kreu i shtetit do të detyrohet të nënshkruajë dekretin dhe ligji do të hyjë në fuqi.

“Ne jemi me interesin e qytetarëve. Presidenti Pendarovski bëri një gabim të madh duke mbrojtur shoqatën e kazinove dhe bastoreve”, deklaroi Arbër Ademi – deputet i BDI-së.

Sipas Ademit, qytetarët ishin të zhgënjyer që Ligji për Lojërat e Fatit nuk e kaloi filtrin e presidentit. Kjo, siç thotë ai, i shkon për shtati vetëm bastoreve.

“Kush po proteston para Kuvendit? Kazinotë dhe bastoret. Kush është për këtë ligji? Bashkimi Demokratik për Integrim dhe të 55 deputetët që votuan në leximin e dytë për miratimin e këtij ligji”, tha Arbër Ademi – deputet i BDI-së.

Nga zyra e Pendarovskit kohë më parë theksuan se ndryshimet në ligj u miratuan përmes përdorimit joadekuat të procedurës së përshpejtuar, do të thotë me flamur evropian, pa pasur ndonjë direktivë përkatëse të BE-së në këtë rast, me të cilën legjislacioni vendas do të harmonizohej me atë evropian. Presidenti bëri thirrje që ligji të shqyrtohet në procedurë të rregullt dhe bëri thirrje për një debat të gjerë me të gjithë palët e prekura. Ai gjithashtu shtoi se kjo ishte zgjidhja e parë ligjore për të cilën Bashkimi Evropian reagoi me shkrim, duke kërkuar që flamuri evropian të mos keqpërdoret. Përdorimi i flamurit evropian është kritikuar më parë në raportin e Bashkimit Evropian. Ligji për lojërat e fatit, ndër të tjera, parashikon që objektet për lojërat e fatit të jenë të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme, në mënyrë që, siç thotë ligji, të mbrojnë popullatën e re nga zakonet e këqija dhe të papërshtatshme për moshën e tyre. /Alsat.mk

Më të fundit Vendi