Dita e Komunës shënohet me mbeturina e deponi në Tetovë (VIDEO)

Dita e Komunës shënohet me mbeturina e deponi në Tetovë (VIDEO)

Përderisa sot shënohet dita e Komunës së Tetovës, për më tepër se një javë qyteti është i ngulfatur në mbeturina dhe deponi të shkapërderdhura gjithandej. As autoritetet komunale dhe as kompania sllovene “Saubermacher” e cila merret me menaxhimin e mbeturinave nuk po gjejnë zgjidhje për këtë problem. Qytetarëve kjo gjendje u ka ardhur në maje të hundës, shkruan Portalb.mk.

Në qytet ka me dhjetëra deponi të krijuara në mes të rrugëve dhe trotuare, të cilat mbajnë erë të keqe dhe që shkaktojnë revoltë për çdo ditë te qytetarët. Portalb.mk anketoi disa qytetarë që shprehën revoltën e tyre.

“Katastrofë është, çdo ditë njësoj. Nuk e di çfarë të them më, jemi lodhur. Nuk ka zgjidhje”, tha një qytetar.

“Thonë se e kanë sjellë atë kompaninë nga jashtë, ku është, gjendja këtu është qamet”, tha një qytetar tjetër.

“Mendoj se duhet patjetër Komuna ta rishqyrtojë marrëveshjen me kompaninë, sepse në tentativë për tu bërë ma mirë është bërë më keq, po na humbet durimi”, tha një qytetar tjetër.

“Në një vend që synon të bëhet anëtare e BE-së pamjet e tilla janë dëshpëruese dhe të pabesueshme. Nuk ka arsyetim për këtë gjendje të cilën është lënë qyteti. Ata që paguhen për këtë punë duhet të punojnë pa arsyetim ndërkaq nevojitet dhe të ngritet vetëdija e qytetarëve për ruajtjen e ambientit”, tha një qytetare.

Nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën” për Portalb.mk theksuan se vetëm muajt e parë kur ndryshohet udhëheqësia shihet përmirësim i gjendjes në terren, ndërsa pastaj vazhdohet me avazin e vjetër.

“Javët e fundit shihet kaos total me mbeturina në qytet dhe qytetarët nuk e kuptojnë pse gjendja është përkeqësuar kur komuna me pompozitet duke rreshtuar kamionët në qendër premtoi qytet më të pastër se kurdoherë”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.

Qytetarët revoltën e tyre shpesh e shprehin edhe në rrjetet e tyre sociale duke shpërndarë fotografi nga lagjet e tyre.

Lajme Vendi