Koordinatori kombëtar për menaxhim kufitar, Vlladimir Pivovarov, kërkon ndryshime ligjore me të cilat secili nëpunës në pikat kufitare rregullisht do të kontrollohet përmes poligrafit, përcjell TV21. Këtë masë Pivovarov e paralajmëron si pjesë të luftës kundër korrupsionit në pikat kufitare për çka paralajmëroi edhe organizimin e debateve publike. Çdo polic kufitar ose doganier që nuk do ta kalojë poligrafin, propozohet që të largohet nga ai post i punës e më pas prokurori publik të zbatojë procedura adekuate hetimore.
“Vlerësimi ynë është se ekonomia gri fillon pikërisht në linjën kufitare. Nëse nga 36%, siç thotë Banka Botërore është ekonomi gri, në BPV-në tonë, kjo do të thotë se ai numër është diku rreth 5 miliardë euro. Çfarë ndodh, cili është propozimi ynë se çfarë do të ndodh me personat që nuk do e kalojnë poligrafin? Sipas logjikës dhe sipas praktikave pozitive europiane, ai person menjëherë largohet nga ai vend pune. I gjithë njoftimi nga momenti i ngjarjes së tillë vjen në duart e prokurorit publik”, tha Vlladimir Pivovarov, koordinator kombëtar për menaxhim kufitar.