Ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në emisionin “Intervistë në Shenja”, tha se zyrtarisht vetëm Greqia nuk i pranon pasaportat me emrin e vjetër, ndërsa vendet e tjera, tha ai, kanë mirëkuptim për qytetarët e Maqedonisë.
Ministri tha se ambasadorja e Kroacisë ka konfirmuar se nuk ka asnjë problem për të hyrë në Kroaci me pasaportën me emrin e vjetër të shtetit.
“Ambasadori i Austrisë gjithashtu më tha të njëjtën gjë, më tha se kanë mirëkuptim… E di se ka problem zyrtarisht me Bosnjën dhe me Malin e Zi në lidhje me pasaportat e vjetra”, theksoi Toshkovski.
Ministri deklaroi se me mos ndryshimin e Ligjit për dokumentet personale shkelen të drejtat themelore të njerëzve, ndërsa nuk shkelet Marrëveshja e Prespës.