Pas bujës për “sekretin publik” që bankat private në Maqedoninë e Veriut nuk pranojnë dhe nuk njohin dokumentet zyrtare në gjuhën shqipe, Portalb.mk bisedoi me ekspertë dhe sërish kërkoi llogari nga institucionet kompetente. Ata theksojnë se bankat obligohen që të pranojnë dokumentet zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore. Megjithatë, bankat qëndrojnë duarkryq dhe nuk i respektojnë kilentët shqiptar, ndërsa Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk e di ende nëse kanë bazë për të vepruar ndaj kësaj shkelje, shkruan Portalb.mk.
MMPT nxori në pah “sekretin publik” të bankave
Shoqata qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT) nxori në pah problemin me Bankat në Maqedoninë e Veriut që nuk e njohin gjuhën shqipe, gjegjësisht nuk pranojnë dokument zyrtar të lëshuar nga institucioni shtetëror në gjuhën shqipe. Madje, bankat pranojnë dokument në gjuhën angleze dhe jo në gjuhën shqipe e cila është gjuhë zyrtare e shtetit, kështu duke bërë diskriminim.
Shoqata reagoi se pas regjistrimit në gjuhën shqipe si subjekt juridik, si Shoqata “Për Tetovën” janë drejtuar te bankat në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të hapur llogari bankare, ku për këtë kanë shfrytëzuar dokumentin zyrtar në gjuhën shqipe që e kanë pranuar nga Regjistri Qendror i Republikës së Maqedonisë së Veriut gjatë regjistrimit të shoqatës së tyre, por që të njëjtin bankat nuk e kanë pranuar.
Bankat në heshtje
Portalb.mk ka kontaktuar shumicën e bankave që operojnë në Maqedoninë e Veriut të cilave u ishte drejtuar edhe Më Mirë për Tetovën (Capital Bank, Halk Bank, Uni Bank, Komercijalna Banka, Stopanska Banka, Centralna Kooperativna Banka, NLB Tutunska, Silk Road Banl, TTK, Sparkase Bank) se përse nuk pranojnë dokumente zyrtare në gjuhën shqipe të lëshuara nga institucionet shtetërore, por edhe pse nuk përdorin gjuhën shqipe si institucione bankare. Por asnjëra nga bankat e lartpërmendura nuk iu përgjigj pyetjes tonë.
AZGJ-ja me deklarata të kundërta, por “vendosën” se bankat e kanë obligim të pranojnë dokumentet në shqip
Portalb.mk u drejtua te Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së Paku 20% e qytetarëve të RMV-së. Nga kjo Agjenci me 22 shkurt 2024 na u përgjigjën:
“Banka Popullore me të cilën ne si AZGj kemi bashkëpunim, e përdor gjuhën shqipe në të gjitha veprimet e saja bankare në përputhje me Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve. Ndërsa bankat e nivelit të dytë janë me kapital privat dhe nuk kanë detyrim ligjor për ta përdorur gjuhën shqipe”.
Megjithatë, dy ditë më vonë me 24 shkurt 2024, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës doli me një reagim tjetër ku thanë të kundërtën:
“Kompetencat e AZGj-së janë përcaktuar me nenin 19 të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, sipas të cilave, AZGj-ja ka rol mbështetës ndaj institucioneve publike. Cilido institucion publik, personat juridikë që kryejnë autorizime publike, përfshi personat juridikë privatë, janë të detyruara të pranojnë çdo dokument që del nga institucionet publike të RMV-së, qoftë dygjuhësh apo disa gjuhësh. Personat juridikë privatë themelohen nga aktet e ndryshme juridike që dalin prej institucioneve publike, dhe si të tilla, duhet të zbatojnë çdo ligj që lidhet me klientin e tyre, përfshi edhe atë të gjuhës”.
Të pyetur për këtë mospërputhje midis deklaratave, nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhës theksuan se “duke pasur parasysh që çështja në fjalë doli nga konteksti, e pamë të arsyeshme që të japim një sqarim më gjithëpërfshirës”. Megjithatë nuk sqaruan se pse i dhanë dy deklarata të ndryshme.
Shasivari: Jokushtetues mospranimi i dokumenteve zyrtare në shqip
Jeton Shasivari, profesor në lëminë juridike, E drejta kushtetuese dhe Administrative, për Portalb.mk thekson se bankat si institucione financiare-ekonomike i nënshtrohen detyrimit kushtetues dhe ligjor që në çdo komunikim, zbatim dhe përdorim në çdo lloj procedure të përdorin gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj dhe është veprim i tyre jokushtetues dhe joligjor që nuk i pranojnë në procedurat e tyre dokumentet publike të lëshuara në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj nga organet dhe institucionet shtetërore dhe publike meqë përderisa bankat kryejnë aktivitete financiare me mjetet financiare të qytetarëve (klientëve) shqiptarë ato duhet edhe të komunikojnë, të zbatojnë dhe të përdorin gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj.
“Është në interes të vetë bankave që të tejkalojnë barrierat e tyre gjuhësore dhe të ofrojnë shërbimet e tyre edhe në gjuhën shqipe dhe në shkrimin e saj. Fundja, kur munden disa banka të mëdha në SHBA të pranojnë dokumente publike në gjuhën spanjolle të lëshuara nga Meksika për të hapur llogari bankare në SHBA, atëherë refuzimi i dokumentit publik të lëshuar nga Regjistri qendror në gjuhën shqipe dhe shkrimin e saj për të hapur llogari bankare nga vetë bankat në shtetin tonë paraqet një shembull tipik shkollor dhe veprim mjaft dëshpërues të diskriminimit etnik që sanksionohet me nenin 9 të Kushtetutës”, tha profesori Shasivari.
Inspektorati i gjuhëve nuk mund të veprojë sepse (nuk) i di kompetencat
Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Fatmir Iseni në Klan Maqedoni me 29 shkurt 2024 theksoi se banka e ka për obligim të pranojë çdo dokumentacion zyrtar që del nga institucionet, në të dyja gjuhët sepse është në bazë të ligjit dhe dispozitave ligjore.
Fatmir Iseni, drejtor i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Foto: Ueb-faqja e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve
“Sa u përket bankave a duhet bankat ta implementojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, këtu mund të them se bankat janë persona juridikë po e llogarisim privatë për arsye se ne kemi bërë një analizë të detajuar se ata e kanë kapitalin e jashtëm, në ligj parashihet që të gjitha institucionet shtetërore, ceket në ligj që personat juridikë që kryejnë shërbime ndaj qytetarëve por nuk është e cekur institucionet private. Por, prapë se prapë unë jam konsultuar me shumë juristë, me inspektorë, jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me Agjencinë sepse është me të vërtetë një çështje e komplikuar, s’mund të marrim një vendim të tillë (të veprojnë), unë si drejtor dhe inspektorët janë të mendimit, disa inspektorë mendojnë se mund të kemi të drejtë disa mendojnë që s’mund të kemi të drejtë edhe në bazë të mendimeve që kam nga juristët”, tha Iseni.
Ai theksoi se ka kërkuar mendim edhe nga përpiluesit e ligjit, Ministria e Drejtësisë, të shohin se çfarë mendimi do japin ata ashtu që pas mendimit do shohin se si do veprojmë.
“Duhet analizuar shumë mirë që mos bëjmë diçka që nuk jemi kompetent”, tha Iseni.
Nëse kanë marrë mendimin e Ministrisë së Drejtësisë, nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve nuk na u përgjigjën.
Pyetëm edhe Ministrinë e Drejtësisë në lidhje me këtë problematikë, por as nga ky institucion deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigjën.
Përndryshe edhe institucionet si Komisioni Shtetëror për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Drejtoria për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Organizata e Konsumatorëve të RMV-së, Asociacioni i Bankave të Maqedonisë nuk e panë të arsyeshme të përgjigjen në pyetjet gazetareske për këtë temë.