Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka krijuar sistem për ndarjen e vakteve ushqimore të studentëve, thuhet në raportin e revizionit të publikuar sot. Është vërejtur se nuk ka as aplikim e as mënyrë se si do të shpenzohen ato 140 denarë dhe a do të shpenzohen për ushqimin e studentëve.
Masat dhe aktivitetet për zhvillimin estandardit studentor që ndërmerren nga organet kompetente shtetërore nuk janë mjaft efikase dhe ekonomike për të arritur një nivel të qëndrueshëm të pavarësisë financiare të konvikteve studentore, akomodimit dhe ushqyerjes adekuate, si dhe realizimit të projekteve për rindërtim dhe zgjerim të objekteve. Ky është konstatimi i revizorëve shtetërorë.
Përsa i përket akomodimit, funksionimit, financimit dhe investimit në konvikte, auditorët konstatuan se disbursimi i fondeve nuk është bërë në bazë të listave të përditësuara të akomodimit.
“Pagesa e fondeve të konvikteve nuk bëhet në bazë të listave të përditësuara të studentëve të akomoduar dhe të miratuara nga personi përgjegjës në Ministrinë e Arsimit. Ambientet që përdorin konviktet janë në pjesën më të madhe të vjetra dhe nuk i plotësojnë nevojat e jetesës moderne, ndërsa kapacitetet e reduktuara akomoduese dhe kushtet e pabarabarta që ofrojnë konviktet e studentëve janë vendimtare për shkallën e shfrytëzimit dhe interesimit të studentëve për akomodim në konvikte të caktuara, por edhe pakënaqësi të studentëve për sa i përket të ushqyerit në konviktet studentore, gjë që imponon nevojën për të ndërmarrë aktivitete që synojnë përmirësimin e kushteve në konviktet studentore dhe sigurimin e një standardi më të lartë jetese dhe studimi për studentët në shtet”, thuhet në raportin e revizionit.
Nga revizioni shtojnë se kanë mbuluar periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2022, ndonëse fusha, çështje dhe ngjarje të caktuara janë mbuluar më pas deri në ditën e njoftimit për revizionin e kryer.