Ndue Ukaj
Sot është dita kushtuar lirisë së shtypit – e njohur ndryshe si lira e shprehjes – dhe unë e kam ndërmend romanin brilant të Milan Kunderës “Pavdekësia”, një kapitull i të cilit i kushtohet pikërisht gazetarisë dhe pushtetit që ajo ushtron mbi jetën morale dhe politike të kohës sonë.
Kundera, duke folë për lavdinë që kishte ky profesion kur për të shkruanin shkrimtarë si Hemingueji e Oruelli, ai thotë se shndërrimi i këtij profesioni ka shkaktuar një katrahurë morale e intelektuale, meqë koha jonë i ka besuar gazetarit një pushte që as shkrimtarët e sipërpërmendur s’kanë guxuar ta ëndërrojnë dhe tani jetojmë nën kthetrat e pushtetit të imagologjisë.
Sepse, pushteti i gazetarit – sipas shkrimtarit nuk mbështet mbi të drejtën për të bërë një pyetje, por mbi të drejtën për të pretenduar një përgjigje dhe këtë të drejtë sipas shkrimtarit nuk duhet ta zotërojë askush, përderisa njerëzit vlerësohen qenie të barabartë.
Dhe e drejta për të pretenduar një përgjigje, sugjeron teksti, përbën një problem, meqë shprishet barazia mes atij që pretendon atë dhe atij që duhet të jep një përgjigje.
“Politikani varet nga gazetari. Po gazetarët nga kush varen? Nga ata që i paguajnë. Dhe ata që i paguajnë janë agjencitë e reklamave, të cilat për reklamat e veta blejnë hapësirë në gazeta apo kohë në media” – shkruan Kundera tek kapitulli pasues “Imagologjia.
Këto pyetje e dilema në një botë të trazuar si kjo e jona, shkaktojnë habi e tronditje të mëdha.
Media kërkon me të drejtë liri, por ajo nuk flet për përgjegjësitë që ka për të transmetuar të vërtetën dhe për t’i shërbyer të mirës publike dhe të përbashkëtës, pra për ta përdorë lirinë për të transmetuar të vërtetën pa asnjë kompromis me batakçinjtë që e shkelin atë me dy këmbë.
Prandaj tani me të drejtë mund të pyesim: media – a gjakon ta thotë të vërtetën – apo e kundërta – siç thotë Kundera: “realiteti sot është një kontinent që vizitohet pak”?
Ç’është në të vërtetë liria e medias dhe kush e përcakton këtë?
A po e vret media botën intelektuale, estetikën, artin sublim dhe kulturën e naltë dhe a po e zëvendëson atë me një kulture të masave të gjëra, të cilat, siç ka treguar historia, me lehtësi shumëfishojnë mediokritetin dhe e kthejnë në sistem e standard?
Për ma tepër, kush i përcakton standardet e kësaj lirie dhe kjo liri, a duhet të ketë përgjegjësi?
Sot, mund të themi se bota nuk vuan për shkak të mungesës së informacioneve, përkundrazi bota vuan nga shumësia e informacioneve, nga informacionet dhe lajmet e pashëndetshme që mbushin hapësira të mëdha në media, dhe prej tyre transmetohen në jetën njerëzore e krijojnë realitete vizuale e virtuale që nuk përkojnë me jetën reale, pra më te vërtetën.
A na lejohet sot të bëjmë një pyetje që rrjedh natyrshëm: kush e administrona lirinë e shprehjes?
Redaktorët, pronarët e mediave, agjencitë e bizneset që i paguajnë ato, politikanët që varen nga gazetarët?
Në një botë të trazuar në të cilën pabarazia rritet, shtypja bëhet normë, përditë ndihet pesha e këtyre pyetjeve, sidomos kur duhet flitet për atë se çka është e vërtetë dhe çka jo, sepse kufiri mes këtyre dy botëve përditë e më shumë duket i padukshëm dhe media fatkeqësisht jep kontribut të madh në zhdukjen e këtij kufiri.
Shkrimtari i madh argjentinas, Jorge Luis Borges duke folë për librin dhe rëndësinë e tij në jetën njerëzore, te shkrimi “Lumturia e librit”, citon Shën Anselmin, i cili thotë: “Të vësh një libër në duart e një injoranti, është po aq e rrezikshme sa të vësh një shpatë në duart e një fëmije”. Ja pra se çfarë mendohej atëherë për librin.”
Dhe unë sot guxoj të them: ja çka mendoj edhe unë për lirinë e medias.
…
Liria e shprehjes është vlerë sublime, rrjedhimisht ekzistenciale, dhe si të tillë duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe të mbrojmë me të gjitha mjetet, por duhet që të ruhemi nga të shndërruarit e medias në instrument të politikës, oligarkëve dhe pushtetmbajtësve.
Më pëlqen në këtë ditë me rëndësi për lirinë e shprehjes të citoj Albert Camun, këtë shkrimtar dritëdhënës:
“Liria pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë, nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka pasë gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve.”
…
Me siguri, ne një shoqëri të shëndoshë, ku liria e shprehjes kuptohet drejt dhe nuk abuzohet me të, aty nuk bëhen model shoqëror autoritetet e rreme, që çaraveshen e nuk dinë çka duan e çka thonë.
Aty nuk mbillet terror e nuk kultivohen mendime shterpe, siç ngjet në shoqërinë shqiptare, në të cilën mediat shpeshherë bëhen burim i keq ushqimit të opinionit publik.
Për më tepër, në një mjedis social, kulturor e politik, ku liria e shprehjes kuptohet drejt, aty nuk defilojnë nëpër media gjithfarë marrinash e intrigash dhe nuk i kushtohet njëzetekatër orë vëmendje mediokritetit.
…
Shoqëria jonë e dërmuar, ka nevojë për një këndellje shpirtërore, për një ripërtëritje, dhe për këtë, kontribut të jashtëzakonshëm mund të japë media fisnike dhe e përgjegjshme që udhëhiqet nga parime etike e profesionale dhe jo nga instinkte e impulse të çoroditura.
Shoqëria jonë lëngon për shkak të përhapjes së murtajë e gjuhës, të intrigave dhe të mashtrimit.
Kjo amulli, ka krijuar terren fantastik për profetë të rremë, liderë të pjerdhur, karagjozë e mediokër, dhe ka tkurrë hapësirën për vlera të njëmenda, kulturore, fisnike e humane.
Shoqëria jonë – jo vetëm sot – por për çdo ditë duhet të kujtojë lutjen e madhe dhe të vlefshme të Faik Konicës:
“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!”
Kjo lutje ka fuqi katharsisi dhe duke e marrë si model udhërrëfyes, atdheut, të tashmes dhe të ardhmes së tij, i bëjmë shërbimin ma të mirë. Pra, shërbimi më i mirë është kur flasim dhe shkruajmë për gjëra të mira e fisnike dhe i shpallim luftë shëmtisë dhe të gjitha trajtave me të cilat manifestohet ajo në jetën publike.