Personi që shihni në foto është Valon Aliu, 36-vjeçari që vrau ish partneren e tij 21-vjeçare në Ferizaj të Kosovës.
E reja fatkeqe, Erona Coku, u vra me armë zjarri në ambientete e jashtme të qendrës sociale në Ferizaj ku edhe strehohej.
Nga të shtënat mbeti i plagosur vëllai i Eronës, 15 vjeç. Adoleshenti po merr ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë autori është arrestuar.
Ngjarja tronditëse ndodhi kur ish bashkëshorti i të ndjerës shkoi në qendrën sociale ku kjo e fundit ishte strehuar, kanë debatuar dhe në zënkë e sipër e ka qëlluar me armë zjarri.
Drejtoresha për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha, ka sqaruar për mediat në Kosovë se gjithçka ndodhi pasi ish-bashkëshorti e kishte kthyer djalin e tyre në Qendrën për Punë Sociale.
Drejtoresha tha se autori e solli fëmijën në qendër rreth orës 13:00.
“Ka biseduar me përgjegjësen e rastit të tyre. I ka treguar që ka probleme me ish – partneren, diskutime të çifteve që ndodhin zakonisht. Ka shkuar prapë në shtëpi, sepse në ora 15:00 është dashur ta rikthejë djalin në Qendrën për Punë Sociale që ta mbajë nëna. Poshtë e ka takuar ish partneren, sepse nuk kanë pasur kurorë dhe të dy bashkë, kanë ardhur në Qendrën për Punë Sociale dhe aty kanë filluar të bërtasin, të debatojnë. Ai e ka nxjerrë armën dhe e ka gjuajtuar. I plagosuri është vëllai i gruas”, ka thënë Rexhepi-Braha.
Ajo tha se vrasja ka ndodhur para objektit të kësaj qendre. Në anën tjetër, mjeku kujdestar në Emergjencën Primare të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, tha se viktima ka vdekur në vend të ngjarjes, ndërsa i plagosuri është në gjendje të qendrueshme shëndetësore dhe po merr ndihmë mjekësore.