U ndjemë që po na le në fakt kryetari i partisë, ne jemi ata që mbetën, nuk e kishim zgjedhjen të shkojmë pas dikujt, por ne qëndruam aty në shtëpinë tonë, këtë e tha mes të tjerash Vjollcë Berisha nga ASH-krahu i Selës në Daily Click në TV21, e pyetur se pse zgjodhi që të mbështes Ziadin Selën pas ndarjes së ASH-së në krahun e Arben Taravarit dhe të Selës.
“Unë isha e përcaktuar që të isha pjesë e ASH-së, dhe ASH që e drejton z. Sela, sepse me tërë respektin për z.Taravari, ai ishte kryetari i partisë, ne të gjithë qëndronim pas tij, por ishte ai që dezertoi, ishte ai që e bëri një shkrim dhe tha se unë po marr një vendim tjetër nga ai që keni marrë ju”, tha Berisha.
Berisha kritikoi, siç tha ajo, “procesin e përqeshjes së rreshtimit të ASH-së në Frontin Europian, sepse është aty edhe BDI-ja”. Berisha tha se kjo është tendencioze për ta nxirë procesin.
“Çfarë ka të keqe aty në qoftë se partitë bëhen bashkë për një qëllim të caktuar, ku ka në politikë, ku njeh politika armiqësi të përhershme dhe miqësi të përhershme. Edhe faktori rrethanë është tepër i rëndësishëm, në gjithçka, edhe në eksperimentet më të thjeshta shkencore, nëse i marrim faktorët anësorë, ne jemi në një moment tjetër”, deklaroi Berisha.