Në Komunën Dibër dhe Qendër Zhupë sot, në raundin e dytë, si dhe zgjedhjet parlamentare të drejtën e votës duhet ta realizojnë 81 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm.
Shikuar veçmas, 71 persona janë në Komunën e Dibrës, ndërsa 10 të tjerë në komunën fqinje, Qendër Zhupë, të cilët sipas kryetarëve të komisioneve komunale zgjedhore, do të vizitohen pasdite pasi të jetë shpërndarë materiali zgjedhor.
“Deri te komisioni u dorëzuan 39 kërkesa dhe të njejtat u pranuan. Numri i mbetur, gjegjësishtë 32, janë persona kërkesat e të cilëve janë pranuar për votim në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të 24 majit”, tha për MIA-n, Rilind Hasa, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Dibër.
Në listën e vetme zgjedhore në këtë komunë për zgjedhjet presidenciale janë të regjistruar 19.269 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare 19.311 do të votojnë në 27 vendvotime.
“Tek ne janë dorëzuar 7 kërkesa dhe të gjitha janë pranuar. Nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale janë 3 persona, që do të thotë gjithësej 10 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm duhet ta realizojnë të drejtën e votës në kushte shtëpiake”, deklaroi Nexhip Iljaz, kryetar i KKZ në Qendër Zhupë.
Sipas tij, në listën e vetme zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale janë të regjistruar 7.368 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare janë regjistruar 7.383 votues, ndërsa votimi do të bëhet në 16 vendvotime.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Komunën Dibër të drejtë e votës e realizuan 6.379 ose rreth 35 për qind, ndërsa në Komunën e Qendër Zhupës 1.279 ose 17.36 për qind.