Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe eurokomisioneri Olivér Várhelyi kanë dal me një komunikatë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare, zgjedhjen e Siljanovska-Davkovës si presidente dhe formimin e Qeverisë.
Borell dhe Varahelyi theksuan se BE-ja përgëzon Presidenten Siljanovska-Davkova për zgjedhjen e saj dhe mezi pret të punojë me të si kryetaren e parë femër të shtetit të Maqedonisë së Veriut.
“Ne inkurajojmë aktorët përkatës politikë që të punojnë për të formuar një parlament dhe një qeveri të qëndrueshme. Të dy institucionet duhet të punojnë së bashku për të avancuar rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, duke përfshirë zbatimin e reformave kyçe veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, në interes të të gjithë qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratë.
Sipas BE, Maqedonia e Veriut ka bërë hapa vendimtarë në procesin e anëtarësimit në BE dhe tani do të jetë e rëndësishme të zbatohen angazhimet e pazgjidhura të nevojshme për hapjen e grupit të parë në procesin e anëtarësimit.
“BE dhe Maqedonia e Veriut ndajnë një partneritet të fortë. Vendi është plotësisht i lidhur me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe ne presim që bashkëpunimi ynë të vazhdojë dhe të zhvillohet më tej”, thekson Borell dhe Várhelyi.
BE-ja shton më tej se misioni i përbashkët ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve nga ODIHR dhe OSBE, Parlamenti Evropian dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i karakterizoi të dyja zgjedhjet si konkurruese dhe respektuese të lirive themelore.
“Administrata zgjedhore i organizoi zgjedhjet në mënyrë efikase. Mjedisi mediatik ishte përgjithësisht i lirë. Ndërkohë që kuadri ligjor zgjedhor hodhi bazën për zgjedhje demokratike, disa dispozita nuk ishin në përputhje me standardet ndërkombëtare, sa i përket aksesit të barabartë në media, llogaridhënies së financimit shtetëror dhe aksesit në korrigjim ligjor. Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor u futën me vonesë dhe nuk pasqyruan rekomandimet e ODIHR-it.
Pasi Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të lëshojë rekomandimet e tij përfundimtare për zgjedhjet e ardhshme, Bashkimi Evropian pret që të gjithë aktorët politikë, institucionet përkatëse dhe palët e interesuara të demonstrojnë përkushtimin e tyre për forcimin e demokracisë duke punuar së bashku për t’i zbatuar ato rekomandime me shpejtësi dhe shumë përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe të rregullta parlamentare u mbajt në Maqedoninë e Veriut më 8 maj. Sipas gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake të Zyrës së OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), ato u zhvilluan në një atmosferë paqësore dhe demokratike. Zgjedhjet ishin konkurruese dhe liritë themelore u respektuan, megjithëse procesi mbetet i rregulluar në mënyrë të pamjaftueshme”, thekson BE.