VMRO-DPMNE dhe Koalicioni Vlen sot duhet t’i vazhdojnë bisedimet në nivel të grupeve të punës për koalicionim eventual në qeverinë e ardhshme, pasi gjatë fundjavës u morën vesh për parimet e përgjithshme për bashkëpunim.
“Bashkëpunimi do të bazohet në tri shtylla: integrimet evropiane, zhvillim i përshpejtuar ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i drejtësisë. U konstatua se të dyja palët do të formojnë grupe pune ku do të vazhdojnë bisedimet deri në finalizimin e tyre”, informoi VMRO-DPMNE pas takimit që u mbajt pardje në shtabin e VLEN.
Nga koalicioni VLEN pas takimit vlerësuan se bisedimet zhvillohen në drejtim pozitiv dhe të duhur.
Sipas rezultateve të para zyrtare për zgjedhjet parlamentare të cilat i publikoi KSHZ, Koalicioni Maqedonia e Juaj i kryesuar nga VMRO-DPMNE ka fituar më së shumti mandate të deputetëve, 58, pas çka vijojnë Koalicioni Fronti Evropian i kryesuar nga BDI me 19 mandate të deputetëve, Koalicioni për të Ardhme Evropiane i kryesuar nga LSDM, 18, Koalicioni VLEN, 13, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe E majta nga gjashtë mandate të deputetëve.
Për rezultatet në zgjedhje në KSHZ janë parashtruar 27 ankesa, nëntë nga Koalicioni VLEN, tetë nga VMRO-DPMNE, pesë nga LSDM dhe katër nga E majta. Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski dje në mbledhje të KSHZ-së theksoi se bëhet fjalë për ankesa në grupe me më shumë vendvotime të përfshira. Nga Fronti Evropian i kryesuar nga BDI vlerësuan se janë parashtruar ankesa në KSHZ nga parti të tjera politike për parregullsi në vendvotime në njësitë zgjedhore 5 dhe 6 dhe po bëhet përpjekje që t’u merren dy mandate të deputetëve.