Abuzimi me çmimet në prag të votimit të Qeverisë së re
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut tash e tre muaj po përballen me rritje të madhe të çmimeve të produkteve ushqimore bazë.
Shtrenjtimi po ndodh në kohën kur vendi ende nuk e ka zgjedhur Qeverinë e re, ndërsa ajo që akoma është në detyrë ka kapacitete të kufizuara, e inspektorët nuk duken fare në terren për të mbikëqyrur çmime në treg.
Së fundi, rritje prej 15 për qind është regjistruar te buka, e cila nga 30 denarë është rritur në 35 denarë, por çmimi ndryshon dhe mund të jetë edhe më i lartë varësisht llojit të bukës.
Janë shtrenjtuar edhe produktet tjera si mishi, djathi, qumështi, prodhimet bujqësore e lloje të tjera të produkteve ushqimore të përditshme.
“Bazuar në standardin dhe pagat që marrim, çmimet janë shumë të larta. Ato ngrihen thuajse çdo ditë pasi nuk ka asnjë kontroll nga institucionet, prandaj tregtarët po e keqpërdorin gjendjen duke abuzuar me çmimet. Po blejmë vetëm gjërat elementare pasi luksin ka kohë që e kemi harruar”, thotë Liljana Stojkova, banore e Shkupit.
“Mos pyet për çmimet pasi janë shumë të larta. Të kishin para, do të blinim, por kur nuk kemi mos pyet pasi me një pension prej 11.000 denarësh (180 euro) çfarë të bëjmë më parë, nuk mjaftojnë as për dhjetë ditë të muajit”, thotë Bedri Shabani, pensionist.
“Kjo gjendje është jonormale. Çmimet e domateve, specave, lakrës, trangujve, sallatave janë ngritur në qiell. Çmime kaq të larta asnjëherë nuk kemi pasur. Institucionet po flenë pasi fare nuk brengosen se çfarë po ndodh me popullin, i cili nuk po arrin të mbijetojë me të ardhurat që merr”, thotë Stefan Dimitrovski, pensionist.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, shporta e konsumit për një familje prej katër anëtarësh në muajin maj ka arritur në mbi 60 mijë denarë apo një mijë euro.
Vetëm për ushqimet bazë, katër persona duhet të ndajnë rreth 22 mijë denarë (350 euro).
Tome Nenovski, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se pavarësisht se ende nuk ka një qeveri të re, organet shtetërore duhet të funksionojnë dhe të mos i lënë bizneset të abuzojnë me çmime.
“Tregtarët janë në pritje se çfarë do të sjellë Qeveria apo çfarë masash do të ndërmarrë në sferën e çmimeve, prandaj i rrisin çmimet nga frika se mund të ketë masa restriktive. Ata i ngritin çmimet që më pas t’i ulin në nivelin paraprak dhe në këtë mënyrë ta mbrojnë biznesin e tyre”, thotë Nenovski.
Sipas tij, një qasje e tillë joserioze i dëmton rëndë konsumatorët, të cilët përballen me një gjendje të rëndë ekonomike.
“Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore po e rëndon standardin jetësor të qytetarëve. Në vend të uljes së çmimeve, siç ishte premtuar, po ndodhë e kundërta, kemi rritje thuajse të përditshme. Veç kësaj kemi rritje të çmimeve edhe të shërbimeve tjera, përfshirë edhe prodhimet bujqësore që kanë shënuar rritje të madhe”, thotë Nenovski.
Nga dikasteret e ekonomisë thonë se institucionet funksionojnë, por pa dhënë detaje për masat që janë ndërmarrë për mbrojtjen e konsumatorëve nga rritja e çmimeve.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut nga 1 marsi ka shfuqizuar vendimin për “çmimet e garantuara”, masë kjo që ishte vendosur me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore.
Kuvendi më pas miratoi Ligjin për mbrojtje nga tregtia e jokorrekte, por në fuqi do të hyjë nga 15 shtatori, andaj deri atëherë tregtarët mbeten të lirë për vendosjen e çmimeve.
Maqedonia e Veriut këtë vit do të ketë rritjen më të ulët ekonomike nga vendet e rajonit. Sipas parashikimeve të fundit të Bankës Botërore, këtë vit vendi do të ketë një rritje prej 2.5 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm rritja ekonomike është projektuartn jetë 2.9 për qind. (REL)
Lajme Më të fundit Vendi