Kina pezullon konsultimet për kontrollin e armëve me ShBA-në

Kina pezullon konsultimet për kontrollin e armëve me ShBA-në

Për shkak të shitjeve të armëve amerikane në Tajvan, Kina deklaroi të mërkurën se ka vendosur të pezullojë konsultimet me Uashingtonin për kontrollin e armëve dhe mospërhapjen e tyre, raportojnë mediat shtetërore.

“ShBA-ja ka injoruar kundërshtimin e vendosur të Kinës dhe hapat e përsëritur, duke vazhduar t’i shesë armë Tajvanit dhe duke u angazhuar në një sërë veprimesh negative që dëmtojnë seriozisht interesat thelbësore të Kinës dhe minojnë besimin e ndërsjellë politik”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lin Jian.

“Këto akte kanë dëmtuar seriozisht atmosferën politike të nevojshme për vazhdimin e konsultimeve për kontrollin e armëve”, tha Lin, duke shtuar se Pekini kishte vendosur të pezullojë kontrollin e armëve dhe konsultimet e mospërhapjes.

Që nga marrja e detyrës në vitin 2020, administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka pasur të paktën 16 shitje armësh në Tajvan.

Lin fajësoi Uashingtonin për situatën aktuale.

“Kina është e gatshme të mbajë komunikimin me ShBA-në për çështjet e kontrollit ndërkombëtar të armëve mbi bazën e respektit reciprok, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm”, tha zëdhënësi, duke shtuar se “ShBA-ja duhet të respektojë interesat kyç të Kinës dhe të krijojë kushtet e nevojshme për dialog dhe shkëmbim mes dy palëve”.

Bota Lajme Më të fundit Rajoni Speciale