Vendi ynë, me përvojën e vet, ka vendosur standarde të rëndësishme për respektimin e të drejtave të njeriut në rajonin tonë dhe më gjerë. Edhe pse shoqëria jonë nuk ishte imune ndaj nacionalizmave në fillim të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, megjithatë, Maqedonia që në fillimet e pavarësisë së saj vendosi që të ndërtojë një shoqëri të qytetarëve të barabartë dhe të lirë me respekt për të drejtat dhe liritë individiale dhe kolektive të njeriut, transmeton Portalb.mk.
Këtë e theksoi presidenti Stevo Pendarovski dje në mbrëmje në konferencën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, 10 dhjetor, të organizuar nga Agjencia për realizimin e të drejtave dhe komuniteteve dhe Misioni i OSBE-së në Shkup.
Në kohën e euforisë së ndërtimit të shteteve etnike, miratuam një kushtetutë që mbështetet në themelet qytetare, por edhe me një ndjeshmëri të qartë për karakterin multikulturor të shoqërisë maqedonase, tha Pendarovski.
Stevo Pendarovski. Foto: Presidenca e RMV-së
“Pikërisht ky vendim strategjik në vitin 1991 ishte një nga aspektet më të rëndësishme që na ndihmoi të shmangnim luftën, dhe që shteti i ri të merrte një verifikim dhe legjitimitet më të gjerë ndërkombëtar. Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 vendosi standarde për mbrojtjen e të drejtave kolektive të komuniteteve, të cilat edhe pas më shumë se dy dekadash, ende konsiderohen si shembull i jashtëzakonshëm i ndërtimit të një demokracie multikulturore jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Një pjesë kyçe e marrëveshjes është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe identitetit të të gjitha komuniteteve, pavarësisht nga numri apo përfaqësimi i tyre politik. Edhe atëherë edhe tani, jam i bindur se kjo marrëveshje e re shoqërore na mundësoi të ruajmë shtetin dhe paqen dhe të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët”, theksoi presidenti Pendarovski.
Ai iu referua edhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili, siç tha, e zgjeroi përdorimin e gjuhëve të komuniteteve joshumicë, por jo në dëm të gjuhës maqedonase dhe statusit të saj si gjuhë zyrtare në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Konferencën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Foto: Presidenca e RMV-së
“Përkundër sulmeve të vazhdueshme ndaj këtij ligji, besoj se koha do ta dëshmojë arsyetimin e tij, po ashtu, pasi që sot pothuajse nuk ka asnjë parti relevante politike që e mohon Marrëveshjen Kornizë e cila u kontestua në vitin 2001”, tha Pendarovski.
Megjithatë, sipas tij, nacionalizmi në rritje nuk e përjashton vendin tonë. Pendarovski tha se jemi dëshmitarë të provokimeve nacionaliste që vijnë nga qarqe të caktuara politike dhe fetare, me një qëllim të vetëm – të prishin stabilitetin e shtetit dhe të cenojnë rendin demokratik duke imponuar botëkuptimin e tyre.
Një pjesë e mirë e këtyre sulmeve, tha Pendarovski, janë rezultat i fushatave propagandistike nga qendrat e huaja ose infiltrimit të tyre të drejtpërdrejtë dhe mbështetjes së organizatave radikale politike.
“Ngjarja e fundit tragjike që përfundoi me vrasje të dyfishtë të shëmtuar nxori në sipërfaqe faktin e lënë pas dore se disa prej këtyre strukturave radikale jo vetëm që janë aktive në vendin tonë, por edhe se politika dhe gjuha e tyre e urrejtjes mund të sjellë pasoja tragjike. Prandaj mendoj se detyra parësore e të gjitha strukturave politike demokratike është forcimi i rezistencës së institucioneve dhe lufta e vazhdueshme kundër ekstremistëve, pa kalkulime ditore politike”, tha kreu i shtetit.
Pavarësisht se në nivel rajonal dhe global ekzistojnë disa organizata ndërkombëtare që ndër të tjera kanë kompetencë parësore edhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës, OSBE-ja, por edhe institucionet gjyqësore si p.sh. Gjykata Penale Ndërkombëtare me kompetencë për të ndjekur shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut, sipas Pendarovskit, koha e konsensusit global për të drejtat e njeriut është prapa dhe po vjen një epokë e re e luftërave, represioneve dhe regjimeve autoritare.
Së fundmi opinioni është “bombarduar” me dezinformata për rastin e adoleshentes Vanja Gjorçevska, e cila u rrëmbye më 27 nëntor në mes të Shkupit, gjatë rregut kryesor të trafikut teksa shkonte në shkollë, ndërsa një javë më vonë ajo u gjet e pajetë në atarin e fshatit Brazda të Shkupit. Gënjeshtrat u përhapën për motive etnike dhe politike, duke dashur që dikush të përfitonte nga kjo situatë tragjike nga vrasja e vajzës.