Cilat janë detyrat dhe obligimet e qeverisë teknike?

Cilat janë detyrat dhe obligimet e qeverisë teknike?

Më 28 janar pritet të votohet për qeverinë teknike me kryeministrin Talat Xhaferi, ndërsa postin e kryetarit të Kuvendit do ta marrë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski. Votimi për kryetarin e ri të Kuvendit pritet të bëhet pas festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve, në mes të janarit, shkruan PRESSonline.al

VMRO-DPMNE opozitare në periudhën e ardhshme do të vendos nëse do të marrë pjesë në Qeverinë teknike. Por burime partiake për “Frontline” kanë thënë se Hristijan Mickoski me marrëveshjen për zgjedhje të dyfishta parlamentare dhe presidenciale në mbledhjen e fundit të liderëve të partive parlamentare ka pranuar të marrë pjesë edhe në Qeverinë teknike.

Nga ana tjetër, partitë politike po punojnë për kuadrin e qeverisë teknike, hartimin e programeve zgjedhore, propozimin e kandidatëve për president dhe zgjedhjen e kuadrove të tyre për listat e deputetëve për zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit 2024.

Qeveria Teknike zgjidhet njëqind ditë para zgjedhjeve. Sipas Ligjit për Qeverinë, kryeministri aktual fillimisht dorëzon dorëheqjen, të cilën Kuvendi duhet ta konfirmojë. Kjo nënkupton dorëheqjen e gjithë Qeverisë. Presidenti i vendit ia beson mandatin kandidatit për kryeministër të përkohshëm për përbërjen e kabinetit. Qeveria zgjidhet nga Kuvendi me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Në qeverinë teknike, ministri i Punëve të Brendshme dhe ai i Punës dhe Politikës Sociale propozohen nga partia opozitare me numrin më të madh të deputetëve (VMRO-DPMNE). Me propozim të kryeministrit, Kuvendi emëron zëvendësministra shtesë për Punë të Brendshme dhe Punë dhe Politikë Sociale nga radhët e qeverisë (LSDM), por edhe nga opozita, në dikasteret e Financave, Bujqësisë, Shoqërisë Informative dhe Administrata, informon PRESSonline.al

Mandati i Qeverisë teknike zgjat deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet parlamentare. Detyra themelore e qeverisë teknike është organizimi i zgjedhjeve parlamentare të ndershme dhe demokratike.

Ministri Teknik i Punëve të Brendshme do të mund të kryejë maksimumi 15 shkarkime ose sistemime, në një pozicion më të ulët ose më të lartë të bartësve të një pozicioni drejtues në Ministri. Nëse emëron drejtues të rinj, ai ka për detyrë të emërojë zëvendësit e tyre me propozimin e zëvendësministrit shtesë. Të dy kanë firma të lidhura.

Nëse një akt nënshkruhet vetëm nga një person, ai nuk do të jetë i vlefshëm. Ministri ka të drejtë të punësojë njerëz për nevojat e kabinetit të tij. Mund të kryejë gjithashtu dislokime horizontale të punonjësve.

Kjo do të jetë qeveria e tretë teknike në vend. E para drejtohej nga Emil Dimitriev dhe njëjta nuk mundi të formohej për një kohë të gjatë, ai drejtoi qeverinë teknike nga 18 janari 2016 deri më 1 qershor 2017. Qeverinë e dytë teknike e ka udhëhequr ministri aktual i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, nga 3 janari 2020 deri më 30 gusht 2020.
Më 2 qershor 2015, katër partitë më të mëdha të asaj kohe arritën një marrëveshje 100 ditë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare me shtetin që do të drejtohej nga një Qeveri për të zhvilluar zgjedhjet. Marrëveshja e Përzhinës u nënshkrua nga liderët e katër partive më të mëdha politike në atë kohë: Zoran Zaev – LSDM, Nikola Gruevski – VMRO-DPMNE, Ali Ahmeti – BDI dhe Menduh Thaçi – PDSH.(PRESSonline.al)

Lajme Vendi