Bojkoti i mësimit nga ana e prindërve të nxënësve maqedonas në shkollën fillore “Todor Janev” të Çashkës ka vazhduar edhe sot, shkruan Alsat.
Protestat u zhvilluan jashtë oborrit të shkollës duke kërkuar sërish shfuqizimin e paraleles shqipe për klasën e parë dhe kthimin e ingerencave të arsimit komunës Çashkë. Kujtojmë së një ditë më parë, pikërisht në këto protesta u sulmua në mënyrë verbale dhe kishte tentime edhe për sulme fizike ndaj drejtoreshës së shkollës Elena Nikollova.
Për këtë sulm ndaj drejtoreshës MPB tha se janë duke u ndërmarrë masat dhe aktivitetet e duhura nga SPB Veles për zbardhjen e rastit dhe sipas MPB-së, pas kompletimit të dokumentacionit të plotë, do të vijojë dorëzim përkatës. Protesta në Çashkë ka nisur më 23 nëntor për shkak të vendimit të hapjes së paraleles në gjuhën shqipe për klasën e parë.
Sipas këshillit të prindërve paralelja është hapur pa respektuar procedurat ligjore dhe pa miratimin e këshillit të prindërve. Ndërkohë, nga ministria e Arsimit tashmë disa here kanë përsëritur se paralelja shqipe ka zbatuar të gjitha procedurat e duhura ligjore.
Në shkollën fillore të Çashkës, ka mbi 70 nxënës shqiptarë të cilët janë të detyruar të mësojnë maqedonisht nga klasa e parë deri në të 9, për shkak të mungesës së mësimit në gjuhën amtare. / Alsat.mk