Sekretari gjeneral i BDI-së, Faton Ahmeti, sot, gjatë shënimit të përvjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se ky universitet është ndër të vetmit në botë që në bazë të themelimit të tij ka dëshmorë, vuajtje dhe sakrificë.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe figura tjera të politikës, Ali Ahmeti, Talat Xhaferi, Fatmir Mexhiti dhe shumë të tjerë.
Postimi i plotë i Ahmetit:
“Bashkë me kryetarin e BDI-së, z. Ali Ahmeti dhe me kryeministrin e ardhshëm, z. Talat Xhaferi morëm pjesë në shënimin e përvjetorit të 29-të të themelimit të Universitetit të Tetovës.
Dikur i mohuar nga sistemi shtetëor, ndërsa sot konkurent për cilësi me universitetet tjera në vend dhe rajon. Ky është Universiteti i Tetovës, që me shumë mund dhe sakrificë u themelua në një kohë të errët për shqiptarët në përgjithsi.
Në 29 vjetorin e themelimit, kujtojmë Prof. Fadil Sulejmanin me kolegët e tij, kujtojmë dëshmorin Abdylselam Eminin që dha jetën për këtë institucion, kujtojmë të gjithë njerëzit që kontribuan për jetësimin e ëndrrës së tyre për arsimimin e gjeneratave të shumëta.
Është ndër rastet e rrallë nëpër rajon dhe më gjërë, kur një institucion arsimor në historinë e tij ka kaq shumë vuajtje dhe dhimbje, që në çdo përvjetor na jep emocion të veçantë.
Sot, Universiteti i Tetovës na bën të bën të ndjehemi krenarë dhe njëkohësisht na obligon që të japim maksimumin në punën tonë, gjithmonë
duke e kujtuar sakrificën mbi të cilën u ndërtua ky institucion”, përfundon postimi.