Nga digjitalizimi deri te vlerësimi i mësimdhënësve – çka e rrit cilësinë në arsim?

Nga digjitalizimi deri te vlerësimi i mësimdhënësve – çka e rrit cilësinë në arsim?

Testet që i bën Programi ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – PISA – dhe testet që bëhen në shkollat e Kosovës “dallojnë si nata me ditën”, thotë drejtori i Shkollës Fillore “Pavarësia” në Prishtinë, Isak Bregaj.

“Arsyeja është se ai test [PISA] është komplet praktik, ka të bëjë me të kuptuarit, mendimin kritik dhe analizën e thuktë të detyrës – gjë që te ne zbatohet shumë pak. Krejt detyrat që ne i mësojmë në teori, këtu në Kosovë, nxënësit i dinë. Por, kur vjen puna te praktika, ata nuk dinë t’i zbatojnë”, thotë Bregaj për Radion Evropa e Lirë.

“Në shkollën time është vetëm një projektor për 1.900 nxënës”, shton ai, teksa shpjegon kushtet në të cilat zhvillohet mësimi.

Bregaj ndoqi nga afër testimin e nxënësve të shkollave të ndryshme të Kosovës në programin PISA, i cili u zhvillua vitin e kaluar.

Por, rezultatet që arritën këtë javë, e nxorën Kosovën gati në fund të listës me 80 vende – edhe më dobët se në testimin paraprak, të bërë në vitin 2018.
Pjesëmarrës ishin 6.027 nxënës kosovarë, rreth 15 vjeç, të cilët u testuan në matematikë, lexim dhe shkencë.

Në Ministrinë e Arsimit të Kosovës nuk iu përgjigjen kërkesës së Radios Evropa e Lirë për komente. Por, ministrja Arbërie Nagavci tha në një konferencë për media më 5 dhjetor se rezultatin e PISA-s e ka ndikuar pandemia e koronavirusit, kur nxënësit – për rreth një vit – kanë mësuar nga distanca.

Bregaj: Nuk ka kushte në shkolla
Testi PISA nuk lidhet me plan-programet mësimore të një vendi pjesëmarrës, por me zbatimin e mësimeve në përditshmëri.

Bregaj thotë se shkolla që drejton, ka 22 klasa, ku 1.900 nxënës i ndjekin mësimet në tri ndërrime.

Me 15 vjet përvojë në menaxhimin e shkollave, ai thotë se në shumë institucione mësimore, ngarkesa me nxënës është e madhe.

Në kushte të tilla, është e vështirë ose gati e pamundur që të zhvillohet mësim plotësues për nxënësit që ngecin në mësime, e të tillët nuk janë pak, thotë Bregaj.

Cilësia në arsim, sipas tij, do të mund të përmirësohej në rast se do të punohej vetëm në një ndërrim, sipas sistemit “mësim gjithëditor”, që nënkupton angazhimin 8-orësh të mësimdhënësve me nxënësit në shkolla.

Pa sigurimin e kushteve të punës, të pajisjeve teknologjike dhe informative, “përmirësimi i cilësisë në arsim do të jetë sfidë e vështirë për t’u tejkaluar”, thotë Bregaj.

Për më tepër, shton ai, ka raste kur mësimdhënësit ndiejnë edhe presion nga prindërit.

“Duhet të vetëdijesohemi edhe ne si qytetarë, si prindër, që të mos vijmë dhe t’u bëjmë presion mësuesve dhe arsimtarëve: ‘mos ia qit dysh, mos ia qit dysh’, por ‘qitja pesë” pa ditur nxënësi asgjë. Jemi kah e rrejmë vetveten”, thotë Bregaj.

Çka thonë ekspertët e arsimit?
Dukagjin Pupovci, ekspert i çështjeve të arsimit në Kosovë, pranon se pandemia e koronvirusit ka ndikuar në rezultatin e Kosovës në testin PISA, por jo vetëm.

Sipas tij, qysh në ciklin e kaluar të testit PISA, në vitin 2018, janë identifikuar disa probleme që e ndikojnë rezultatin e ulët të mësimnxënies, si: mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në sistemin e arsimit, mungesa e besueshmërisë së testeve kombëtare, mungesa e mjeteve mësimore në shkolla, teknologjisë së informacionit, komunikimit dhe të tjera.

Të gjitha këto probleme janë paraparë të trajtohen edhe në Strategjinë e Arsimit të vitit 2022-2026 të ministrisë kompetente, thotë Pupovci, por ngecjet janë evidente, shton ai.

“Kur bëhet fjalë për përgjegjësinë dhe llogaridhënien, duhet përforcuar inspektimin në shkolla, sepse ne kemi numër jashtëzakonisht të vogël të inspektorëve në Ministrinë e Arsimit. Pastaj, duhet të funksionalizohet sistemi i licencimit të mësimdhënësve, në mënyrë që mësimdhënësit të angazhohen më shumë për t’i fituar licencat, për t’i mbajtur vendet e punës – gjë që nuk është bërë prej vitit 2011”, thotë Pupovci.

“Rishikimi i teksteve shkollore, për shembull, është një hap që ka nisur të bëhet. Të shohim se cili do të jetë epilogu i tij”, thotë ai.

Sipas Pupovcit, ofrimi i mbështetjes profesionale për mësimdhënësit, si dhe sigurimi i teknologjisë informative nëpër shkolla janë faktorë që mund të ndikojnë, po ashtu, në përmirësimin e gjendjes në arsim.

REL-i ka raportuar në fillim të vitit të sivjetmë shkollor për mungesën e digjitalizimit të shkollave në epokën e bumit digjital.

Sipas raportimit të atëhershëm, në një shkollë me mbi 1.200 nxënës, në dispozicion kanë qenë vetëm 32 llaptopë.

Paraprakisht, në një konferencë në muajin prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij ka ndarë buxhet prej 18 milionë eurosh – për një periudhë trevjeçare – për blerjen e pajisjeve digjitale në shkolla.

Digjitalizimi i arsimit është, po ashtu, ndër pesë objektivat kryesore të Strategjisë së Arsimit 2022-2026, e cila është miratuar në fund të vitit të kaluar.

Testimi “i papranueshëm” i mësimdhënësve
Derisa ministrja Nagavci pohoi se tashmë janë rishikuar 28 tekste të Gjuhës Shqipe dhe 17 tekste të Matematikës dhe se gjetjet për to do të publikohen javën e ardhshme, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) e kundërshton idenë e testimit të mësimdhënësve, si mënyrë për t’i rilicencuar ata.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se “një testim i tillë me shkrim” do të konsiderohej nënçmues dhe degradues nga mësimdhënësit, sepse ata i kanë përfunduar shkollimet përkatëse.

Megjithatë, ai thekson se sindikalistët nuk janë kundër vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, si dhe gradimit të tyre.

“Ne kemi kërkuar inspektorë dhe vazhdojmë të kërkojmë. Por, nga ana tjetër, kemi këmbëngulur që shkollat në Kosovë t’u përngjajnë shkollave të shekullit 21, të pajisura me mjete bashkëkohore të punës, me llaptopë dhe projektorë, e jo që vazhdimisht të kemi një betejë për dije të reja me shkumës dhe shpuzë”, thotë Jasharaj.

Rezultatet në PISA “janë dëshpëruese”, porse gishti fajësues nuk duhet drejtuar vetëm kah mësimdhënësit, thotë ai, pa specifikuar më shumë.

Rinor Qehaja, njohës i fushës së arsimit dhe udhëheqës i Institutit “Edguard” në Kosovë, vlerëson se testimi i mësimdhënësve nuk është mënyrë që e zgjidh problemin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

“Nuk ofron [testimi] një vlerësim të mirëfilltë të punës së mësimdhënësve. Mirëpo, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është ai ndryshimi që neve na nevojitet. Pra, një vlerësim dhe menaxhim i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve”, thotë Qehaja.

Sipas Agjencisë së Statistikave, Kosova ka mbi 300.000 nxënës që ndjekin shkollimin fillor dhe të mesëm në mbi 1.000 shkolla.

Cilësia e arsimit në sistemin parauniversitar të vendit është kritikuar shpesh nga institucionet ndërkombëtare.

Në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”./REL/

Uncategorized