Bulevardi “Bllagoja Toska” është lëshuar në përdorim pa respektuar procedurat ligjore
Këshilltarët e BDI-së në Këshillin Komunal të Tetovës, sot kanë dalë me akuza në drejtim të kryetarit Bilall Kasami, në lidhje me bulevardin “Bllagoja Toska”.
Shpresa Qazimi këshilltare e BDI-së, tha se bulevardi “Bllagoja Toska” është lëshuar në përdorim pa pëlqim nga Sektori i Punëve të Brendshme dhe pa respektuar dokumentacionin dhe procedurat e parapara me ligj.
“Sipas rregullores së komunikacionit, çdo rrugë ku ndryshon regjimi i trafikut, duhet të inspektohet dhe të merret leje nga institucionet kompetente, që në këtë rast është SPB Tetovë, por një gjë të tillë nuk e ka bërë Komuna e Tetovës pasi që atyre nuk u intereson fare për sigurinë e qytetarëve dhe bulevardi u lëshua në përdorim pa respektuar procedurat. Si pasojë e kësaj, numri i aksidenteve në këtë udhëkryq të “B.Toskës” me rrugën “29 Nëntori” sa shkon e rritet. Qytetarët janë të rrezikuar çdo ditë, ndërsa Komuna e Tetovës nuk ndërmerr asgjë për të rregulluar komunikacionin, gjegjësisht të vendos semaforë ose rrethrrotullim”.
Këshilltarët e BDI-së apeluan tek kryetari i Komunës së Tetovës që fokusin ta kthejë në sigurinë e qytetarëve dhe të ndërmarr urgjentisht masa për rregullimin e komunikacionit ashtu siç është e paraparë me rregullore të komunikacionit.
Lajme Vendi