Është anuluar greva e kontrollorëve të trafikut ajror të paralajmëruar për 25 dhjetor dhe 31 dhjetor të këtij viti, njoftoi sot kryetari i Sindikatës së Pavarur të Kontrollorëve të Trafikut Ajror (SPKTA) Aleksandar Tasevski.
Sindikata në mbledhjen e sotme ka vendosur të pranojë shpalljen e punësimit që e ka kontestuar për shkak të disa pozitave që i konsideron jo thelbësore dhe që kanë qenë arsyeja e riaktivizimit të vendimit të grevës nga tetori i këtij viti.
“Ne kishim opsionin ose t’i anulojmë plotësisht të gjitha punësimet ose të pranojmë, gjegjësisht ta “gëlltisim” keqfunksionimin nga drejtorët që ndoshta kanë luajtur me një kartë të tillë që të mos kemi mundësi të manovrojmë” tha Tasevski.
Ndryshe, SPKTA paralajmëroi grevë për shkak të konkursit të ri për punësime, që ato i konsideronin si politike.