Edhe viti 2023 u përgjak me privimin nga jeta të tri grave. Shteti sërish u trondit me vrasjen e tyre nga burrat. Naim Murseli dyshohet se planifikoi vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademajt, edhe pse ai vetë nuk ishte dorasi. Urim Hyseni dyshohet se ekzekutoi nënën e tij, duke ia prerë kokën e duke e shpuar në 22 vende të trupit.
Në gusht të vitit të kaluar, e pasigurt ishte edhe një grua argjentinase në Fushë Kosovë, ku edhe në këtë rast dyshohet se vrasësi ishte burri i saj.
Organizatat për të drejtat e grave konsiderojnë se ka dështuar zinxhiri institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Po ashtu, thuhet se 90 për qind e rasteve të dënimeve për dhunë janë me gjobë, e shumë pak me burgim efektiv. Veç kësaj kërkojnë që të punohet në parandalim, për çka ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se kanë ndërmarrë disa veprime.
Policia e Kosovës njofton se gjatë vitit të kaluar janë vrarë tri gra e janë raportuar mbi 2000 raste të dhunës në familje.
“Gjatë periudhës janar-tetor 2023 janë evidentuar 2.186 raste të dhunës në familje. Viktimë të këtyre rasteve kanë qenë 1.763 femra dhe 497 meshkuj (ndonjë rast ka pasur më shumë se një viktimë). Kanë ndodhur katër raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto katër raste janë evidentuar pesë viktima (një rast me dy viktima), dy meshkuj dhe tri femra”, thuhet në përgjigjen për KosovaPress.
Shteti ka dështuar të parandalojë këto raste, thotë Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Ajo shton se ende këto raste nuk kanë arritur të adresohen në mënyrën e duhur nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.
“Në vazhdimësi, ne kemi raportuar dhe kemi përmendur raste ku ka dështuar zinxhiri institucional, qoftë në fazën e trajtimit të rastit në polici, qoftë pastaj në fazën e trajtimit në prokurori apo në fund edhe në gjykatë. Kur them në gjykatë, në vazhdimësi vërejtjet tona më të mëdha kanë pasur të bëjnë me politikën ndëshkimore në këto raste, sepse rastet e dhunës në familje fatkeqësisht në bazë të hulumtimit tonë nuk kanë marrë dënimet e merituara”.
“Dhe në momentin kur prej gjykatave ka një trajtim të tillë dhe prej institucioneve ka një neglizhencë, atëherë këto automatikisht përkthehen në rritje të rasteve, në riviktimizim të viktimave dhe fatkeqësisht edhe përfundojnë me raste në fatalitet”, thekson ajo.
Sipas saj, rastet me fatalitet janë pikërisht ato që paraprakisht janë raportuar, por që nuk janë ndërmarrë masa të duhura.
Edhe Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se iu takon institucioneve të Kosovës të punojnë në parandalimin e dhunës në familje.
“Është shqetësuese kur i kemi rastet kur kanë qenë të njohura për institucionet tona e që kanë përfunduar me fatalitet. Nuk po flas vetëm për 2023, por kemi pasur raste edhe në të kaluarën, të cilat për shkak të mos efikasitetit të punës së institucioneve kanë përfunduar me fatalitet…Parandalimi është një fushë që na takon gjithë shoqërisë, veçanërisht institucioneve, mirëpo është një rol të cilin e kemi edhe ne si individë, për ta parandaluar dhunën, por edhe shteti veçanërisht me mënyrat e ndryshme mund ta parandalojë këtë”.
“Një prej këtyre formave, përveç infrastrukturës ligjore, fushatave vetëdijesuese është edhe ashpërsimi i dënimeve për rastet e dhunës me bazë gjinore. Ne shpesh kemi parë fatkeqësisht që dënimet për këto raste kanë qenë shumë të ulëta – mbi 80 ose 90 për qind të dënimeve për dhunë janë me gjobë, dënime alternative dhe ka shumë pak dënime me burgim efektiv”, shprehet Berisha.
Gjatë insistimit të grave për raportim të dhunës në stacion policor, Berisha thotë se kanë vërejtur se policia nuk ruan konfidencialitetin e tyre.
“Në momentin kur ti hyn në stacion policor ka zyrtarë, të cilët nga largësia thërrasin ‘kush ke viktima e dhunës në familje’. Normal, që kjo automatikisht do ta dekurajojë viktimën për t’u ndjerë rehat dhe të flasë për përjetimet e dhunës së saj. Fillimisht, konfidencialiteti, besueshmëria, është një parim, i cili duhet të mbrohet në rastet e dhunës e që shumë shpesh institucionet kanë dështuar”.
“Fajësimi i viktimës, pyetjet që iu bëhen viktimave ‘çfarë ke bërë ti, çfarë ke pasur vesh, a ia ke kthyer fjalën, a ia ke përgatitur drekën’, të gjitha këto aludojnë që faji është te viktima, që ajo me veprimet e veta ka bërë diçka që e ka detyruar ushtruesin e dhunës të ushtrojë dhunë ndaj saj”, shprehet Berisha.
Për rastin e fundit të vrasjes së Liridona Ademajt, flet edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila konsideron se ky është rasti më i rëndë dhe tragjik.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që rastet e tilla të parandalohen, por nëse kjo ka ndodhur tashmë, siç është edhe rasti i fundit i të ndjerës, Liridonës, institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Në këtë rast unë kam përgëzuar edhe punën e policisë dhe prokurorisë, sepse përbrenda një kohe shumë të shkurtër janë arrestuar personat e dyshuar”.
“Ju e dini që ka pasur një tendencë që të manipulohet me të vërteten, duke thënë që ky rast ka qenë një rast i grabitjes dhe si pasojë me vrasje. Por që doli krejtësisht ndryshe ku një prej vrasësve, gjegjësisht personave që kishte urdhëruar vrasjen, ishte vetë bashkëshorti i së ndjerës, Liridonës”, thotë Haxhiu.
Përkundër rasteve fatale, Haxhiu konsideron se institucionet kanë ndërmarrë veprime për parandalimin e rasteve të dhunës familjare. Ajo përmend strategjinë për parandalimin, për çka thotë se obligon institucionet të ndërmarrin veprime.
“Kemi mundësuar kompensimin e viktimave të krimit, kemi ofruar ndihmë juridike falas, si rrallë ndonjë vend tjetër, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike të viktimave të dhunës. Po ashtu, kemi ashpërsuar dënimet për kryerësit e dhunës në familje, por edhe ata të dhunës seksuale, ashtu që personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje apo dhunë seksuale, marrin edhe dënime plotësuese që iu pamundësohet punësimi në institucione publike brenda periudhës që e përcakton gjykata”.
“Gjithashtu, së fundmi kemi miratuar edhe protokollin, gjegjësisht programin e parë për rehabilitimin e dhunuesve, sepse është interes i shtetit që personat që vuajnë dënimin për vepra të tilla të rehabilitohen dhe të kthehen me sjellje të përgjegjshme në shoqëri dhe jo të përsërisin vepra penale”, deklaron Haxhiu.
Në kuadër të fushatës globale të “16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” është lansuar edhe masa për punësimin e viktimave të dhunës në familje.
“Duke pasur parasysh që edhe përkundër rasteve që raportohen rreth dy mijë, pak më shumë se dy mijë në vit, ne konsiderojmë që kemi edhe shumë raste të tjera të cilat nuk raportohen. Arsyeja për këtë ka të bëjë ndoshta me mungesën e pavarësisë ekonomike të vajzave dhe grave që i bën që ato ta durojnë dhunën dhe ta mbajnë të izoluar brenda mureve të shtëpisë. Kësisoj kërkohet një koordinim me institucionet tjera”.
“Në këtë rast si koordinatore nacionale për parandalim të dhunës në familje dhe adresim të dhunës në familje dhe në baza gjinore, jam duke u përpjekur maksimalisht që të kemi koordinim të duhur me institucionet e drejtësisë dhe Policinë e Kosovës, sikurse edhe me qendrat për punë sociale dhe strehimore që strehojnë viktimat”, përfundon ajo.
Ajo deklaron se janë në pritje të Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ku mendohet se do t’u jepen në shfrytëzim viktimave të dhunës në familje. Të gjitha këto raste të vrasjeve të grave gjatë vitit të kaluar po hetohen në institucionet kompetente, për çka epilogu pritet këtë vit.