Për shkak të rritjes së numrit të turistëve në Kodrën e Diellit dhe Mavrovë, Sektori i Punëve të Brendshme – Tetovë apelon tek pronarët e automjeteve që t’i kyçin dhe të mos lënë sende me vlerë, çanta, kuleta, celularë, laptopë, syze dielli dhe gjëra të tjera në ulëse të automjeteve.
Sipas SPB Tetovë, objekte të tilla janë shpesh një objektiv tërheqës për hajdutët që arrijnë qëllimin e tyre edhe duke dëmtuar apo thyer xhamin.
“Drejtuesit e automjeteve këshillohen që të kenë pajisje dimërore, që është obligim ligjor i tyre deri më 15 mars të këtij viti. Gjithashtu, atyre u rikujtohet nevoja që të mos i lënë automjetet e tyre ku të arrijnë dhe në këtë mënyrë të pengojnë lëvizjen normale dhe të sigurt të pjesëmarrësve të tjerë të trafikut, por vetëm në vendet e caktuara në këto dy qendra.”
“SPB Tetovë apelon tek pronarët e automjeteve që të respektojnë udhëzimet dhe urdhrat e zyrtarëve policorë që rregullojnë trafikun në këto destinacione në baza ditore, për të evituar, përkatësisht për të parandaluar shqetësimet e mundshme të mëdha me pasoja të padëshiruara”, thonë nga SPB Tetovë.