Rreth 30 milionë euro llogaritet të jetë dëmi i shkaktuar në skandalin në Klinikën e Onkologjisë, për të cilin Prokuroria nisi hetimet ndaj 5 personave të punësuar në këtë klinikë. Dy ish-drejtorëve, Nikolla Vasev dhe Nehat Nuhi u janë konfiskuar pasaporta, u ndalohet të dalin nga vendbanimi dhe duhet të paraqiten në Klinikë. Tre mjekë të punësuar në departamentet e kancerit të gjirit dhe kancerit të mushkërive dyshohen se kanë asistuar në një krim mashtrimi në shërbim. Ata ngarkohen për shpërdorim detyre, duke kryer ekzekutime të shumëfishta të veprës së njëjtë, me qëllim të përfitimit pasuror të paligjshëm, kanë mashtruar personin e autorizuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore për të bërë pagesë të paligjshme parash për blerjen e barnave që kanë shpenzuar dhe porositur në kundërshtim me rregulloret ligjore dhe nënligjore, pa një kolegjium ekspertësh të krijuar dhe pa protokolle përkatëse mjekësore.
Në këtë ata u ndihmuan qëllimisht nga tre mjekët e tjerë të dyshuar të cilët u përshkruan terapi të caktuar jashtë rekomandimeve dhe duke shmangur me vetëdije parametrat që përshkruajnë gjendjen e pacientit në lidhje me sëmundjen.
Prokuroria Themelore Publike Shkup vazhdon hetimet për rastin lidhur me punën e Klinikës së Onkologjisë dhe sërish apelon tek të gjithë pacientët që të lajmërohen në Prokurorinë Publike dhe të raportojnë për çdo paligjshmëri dhe keqpërdorim të mundshëm që kanë hasur.