Parashikimet e institucioneve ndërkombëtare financiare nuk janë aq optimiste sa ato qeveritare për rritjen ekonomike të vendit. Ekzekutivi parashikon rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto për 3.5 për qind, përderisa Banka Botërore parashikon rritje prej 2.5 për qind. Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare ka publikuar raportin më të fundit me projeksionet e dimrit për vitin 2024 . Sipas tij, Maqedonia sivjet parashikohet të ketë rritje ekonomike prej 2.2 për qind, inflacion prej 3.5 për qind dhe papunësi prej 12 për qind.
Në nivel rajonal, të dhënat e raportit për projeksionet e rritjes ekonomike në vendet e rajonit, thonë se Shqipëria pritet të ketë rritjen ekonomike më të lartë, vetëm pas Malit të Zi . Ekonomia në Malin e Zi pritet të zgjerohet me 4 për qind , ndërsa ekonomia e Shqipërisë pritet të ketë një zgjerim me 3.6 për qind.
Nga ana tjetër, ekonomia e Kosovës pritet të zgjerohet me 3.5 për qind në vitin 2024. Në vendet e tjera të rajonit si Bosnje Hercegovina, dhe Serbia pritet që kjo rritje të jetë me 2 dhe 2.4 për qind. Sipas raportit, përshpejtimi i pritshëm i rritjes rajonale varet nga përmirësimi i kushteve ekonomike, të cilat deri më tani kanë qenë të ndikuara nga një sërë faktorësh globalë si pandemia, konfliktet dhe kushtet mjedisore. Ekonomia botërore përgjithësisht u ndikua nga pasiguritë politike në mbarë botën, goditje të shumta që lindin nga konfliktet dhe ndryshimet klimatike që bënë kërdinë kryesisht në jetët dhe mjetet e jetesës së miliona njerëzve, më tej duke rrezikuar progresin drejt zhvillimit të qëndrueshëm.
Profesori nga ky institut, Branimir Jovanoviq vlerëson se ky vit do të jetë pak më i mirë se viti kaluar, me ngadalësim të inflacionit në raport me 10 për qind në vitin 2023, përderisa shton se do të ketë një përmirësim edhe të fuqisë blerëse të popullatës që do të ndikon pozitivisht edhe në aktivitetet ekonomike. Megjithatë, shton se me dobësimin e masave antikrizë qeveritare dhe skadimin e tyre, si dhe ngadalësimin e rritjes së pagave është e pritshme të ketë edhe ngadalësim të aktiviteteve ekonomike. Njëherësh një moment pozitiv në ekonomi do të jetë lirimi i politikës monetare si rrjedhojë e uljes së inflacionit.
Banka Botërore parashikon se sivjet ekonomia e Maqedonisë do të ketë rritje prej 2.5 për qind, ndërsa në vitin 2025 prej 2.9 për qind. Në raportin e janarit për perspektivat globale ekonomike, Banka parashikon se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rritja më e lartë këtë vit do të jetë Kosova 3.9 (4.0 për qind në 2025), Shqipëria 3.2 (3.2 për qind në 2025), Mali i Zi 3.2 (3.1 për qind në 2025), Serbia 3.0 (3.8 për qind në 2025), Bosnje e Hercegovina 2.8 (3.4 për qind në 2025), Kroacia 2.7 (3.0 për qind në 2025) dhe Bullgaria 2.4 për qind (3.3 për qind në 2025).